Qindra tifozë skocezë në Shkodër

schedule22:22 - 15 Nëntor, 2018

schedule 22:22 - 15 Nëntor, 2018

Plot 26 autobusë me tifozë skocezë pritet të mbërrijnë këtë të shtunë në Shkodër. Ata do të mbështesin ekipin e tyre kombëtar për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Tradita ia do që të jenë të shumtë.

Tifozët skocezë pritet të jenë në numër të madh në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Tabloidi “The Sun” raporton se do të jenë plot 26 autobusë me përkrahës së Skocisë këtë të shtunë, dhe e përkthyer në numra, kjo do të thotë ndoshta mbi 2 000. Të mbiquajtur si “Ushtria e Tartanit”, tifozët skocezë janë të famshëm për mbështetjen e tyre të pakufishme për ekipin e tyre përfaqësues, që është një simbol i kombit të tyre, në mungesë të një shteti të pavarur.

Autoritetet shqiptare nuk kanë arsye të shqetësohen, pasi tifozët skocezë, ndryshe nga disa anglezë, nuk sillen si huliganë, përveçse në ndeshjet Skoci-Angli, madje ata kanë marrë edhe çmim për sjelljen e kulturuar, siç ndodhi në Bruksel apo Zagreb. Një grupim i tifozëve skocezë, të njohur për veprime humanitare, kanë vendosur të dhurojnë 5 000 paund stërlina për një fondacion bamirësie në Shqipëri. Kjo është një traditë këtij grupimi, e nisur që nga viti 2003, në një ndeshje në Lituani, ndërsa sasia e përgjithshme e dhuruar arrin në 120 000 paund stërlina.

Numri i tifozëve skocezë në Shkodër është i përafërt me atë të tifozëve të Uellsit, që pritet të jenë në “Elbasan Arena”, për miqësoren e datës 20 Nëntor. Për Uellsin janë dhënë 2 000 bileta, por tifozët uellsianë janë ankuar për çmimin e lartë të biletave në “Elbasan Arena”, prej 15 paund stërlinash për copë, ndërsa tifozët skocezë, sipas tyre, i kanë marrë biletat me vetëm 4 paund stërlina./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!