Qeveria tërhiqet nga rritja e çmimit të energjisë, Rama: Ka rënë shi, shfrytëzojmë çdo mundësi që mos t’ju bjerë barra juve

schedule11:13 - 30 Shtator, 2022

schedule 11:13 - 30 Shtator, 2022

Teksa ERE kishte marrë vendim që më 1 tetor të ndryshonte fasha e energjisë, duket se kryeministri Edi Rama është tërhequr.

Fasha synonte që 4% e abonentëve, të cilët e tejkalonin  këtë kufi dhe konsumonin  afro 20% të të gjithë sasisë së energjisë, të paguanin  me çmimin real çdo kw mbi kufirin e 800 KwH.

Kryeministri theksoi se kursimi i energjisë është arma kryesore për të kaluar dimrin pa kufizime energjie.

Por duke u nisur nga situata e fundit meteorologjike dhe sasia e reshjeve të rëna, kryeministri bëri me dije se në bazë të një analize të gjatë është vendosur mos hyjë në fuqi më 1 tetor vendimi.

Rama: Disa ndër ne këtu në  Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta. 

Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji. 

Ne siç e keni parë po ecim, dhe po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10 vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjitikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë.

Por pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte. 

Megjithatë unë dhe kjo qeveri, jemi këtu, jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji, por edhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte, dhe e inflacionit që ajo ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë. 

Pa dashur t’ju marrë kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë.

Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kw, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh. 

Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Kwh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. 

Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit. 

Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kw të mos hyjë në fuqi në muajin tetor. 

E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën. 

Inflacionin e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë qeveria, por qeveria do të jetë në krye të detyrës, që njësoj siç ia dolëm më së miri me tërmetin dhe me pandeminë, t’ia dalim edhe me këtë fatkeqësi të re që ka rënë mbi botën, e veçanërisht mbi Europën ku jetojmë.

/Abcnews.al/