Qeveria tërhiqet nga ligji për teatrin e ri

schedule11:32 - 12 Shtator, 2018

schedule 11:32 - 12 Shtator, 2018

Qeveria do të tërhiqet nga ligji për Teatrin e Ri Kombëtar. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku, i tha ABC News se për ndërtimin dhe zhvillimin urban të zonës do të zhvillohet një garë.

Qeveria do të ndryshojë ligjin për Teatrin Kombëtar. Pasi Komisioni Europian i sugjeroi autoriteteve shqiptare amendimin e tij me qëllim përfshirjen e një thirrje për tender të hapur, ku çdo kompani private të mund të aplikojë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tregon për ABC News se për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar do të zhvillohet një garë.

“Ky ka qenë edhe shqetësim i grupit që merrej me hartimin e ligjit, por që pengohej në atë moment nga fakti që aplikanti është fqinje e Bashkisë.  Ka gatishmëri të shihet mundësia që të lejohet edhe opsioni në ligj që kompani të tjera të mund të sjellin propozime të ngjashme dhe komsioni që ngrihet t’i shqyrtojë”, tha Mazniku.

Kompania “Fusha” do të jetë një nga pjesëmarrëset në garë, por për të shmangur paragjykimin, nënkryetari i Bashkisë thotë se procesi do të jetë transparent dhe do të mirëpritet çdo opinion për të përmirësuar ligjin.

“Kompania Fusha është propozueseja dhe aktori që ka marrë nismën dhe do të jetë pjesë e këtij procesi. Natyrisht që edhe të gjithë aktorët e tjerë do të jenë të mirëpritur të japin sugjerime. Kemi qenë të gatshëm të dëgjojmë opinonin e opozitës, por nuk erdhën. Garantojmë proces të hapur dhe transparent ku çdo aktor që ka opinion për të përmirësuar dokumentin është i mirëpritur për të dhënë sugjerime si dokumenti mund të përmirësohet”, u shpreh Mazniku.

Aktualisht në sirtarët e Kuvendit  po qëndron dekreti i Presidentit të Republikës, i cili në fund të Korrikut i ktheu për rishqyrtim ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Kreu i Shtetit e shpjegoi vendimin e tij duke renditur tetë argumenta ku si pikë të parë evidentoi shkeljen e parimit të barazisë para ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike ekonomike të shtetasve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!