Kryeministri Edi Rama ka premtuar të zgjidhë një herë e mirë problemin e rrëshqitjes së dheut në Gjirokastër. Kreu i qeverisë është treguar kritik me punën e Bashkisë, e cila sipas tij duhet të kishte treguar më gatishmëri për këtë çështje.
Faza e parë e rilindjes urbane ka përfunduar në qarkun Gjirokastër. Vendimet për nisjen e fazës së dytë kryeministri Edi Rama i mori në mbledhjen e qeverisë që zhvilloi në këtë qark.
Edi Rama: “Përgatitemi për fazën e dytë që është gati, por për të mos penguar sezonin turistik punimet do të fillojnë në muajin Shtator dhe implikojnë të gjithë hyrjen bashkë me infrastrukturën nëntokësore të rrugëve, plus ndriçimin dhe me radhë”.
Dy rrugë të rëndësishme nisin brenda këtij viti tha kreu i qeverisë në konferencën për mediat.
Edi Rama: “Fillon së shpejti ndërtimi i by-pass i Tepelenës, por edhe rruga Kardhiq-Delvinë, që më në fund bëhet realitet duke nisur nga ky vit”.
Pika delikate është përsëritja e rrëshqitjes së dherave në Gjirokastër, për të cilën kryetari i qeverisë i garantoi se do të zgjidhet një herë e mirë.
Edi Rama: “Faktikisht për fat të keq nuk ka pasur shumë gatishmëri nga ana e bashkisë, por është kapërcyer me kryerjen e studimit të plotë dhe projektit nga qeveria dhe pavarësisht relativisht të lartë të projektit ne jemi angazhuar që ta bëjmë të plotë ndërhyrjen dhe ta zgjidhim njëherë e mirë atë problem në atë pikë”.
Duke prekur çështjen e punësimit kryeministri Edi Rama vuri në dukje se ka vende të lira pune në Gjirokastër, por duhet çrrënjosur mentaliteti i punësimit në shtet, tha ai./abcnews.al