Është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë kontrata për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kontrata me një vlerë 240 milionë euro ka në objekt përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.
Kontrata për ndërtimin e rrugës së Arbrit mori edhe vulën e qeverisë. Është ky vendimi që u miratua në mbledhjen e këshillit të ministrave e bërë publike nga ministria e energjisë dhe infrastrukturës.
Kontrata u firmos në Shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë Gjoka sh.a. Kostoja e rrugës është parashikuar 240 milionë euro dhe shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13-vjeçare.
Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij. Ai gjithashtu do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës gjatë të gjithë periudhës së koncesionit.
Pritet që shoqëria e kontraktuar të nisë punimet brenda vitit. Rruga e Arbrit konsiderohet si një vepër e vështirë nga pikëpamja inxhinierike, për shkak të relievit në të cilin kalon./abcnews.al