Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke u distancuar nga organizimi i qeverisë Kurti.
Kjo me argumentin se kjo qeveri i ka fyer veteranët e luftës dhe nuk ka bashkëpunuar me ta, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si gjatë festimeve të 17 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari bëri kërkesë tek institucionet që luftës së UÇK-së t’i jepet vendi që meritojnë.
Sipas tij, qeveria duhet të respektojë rrugën e atyre që luftuan për liri, madje sipas tij, brenda këtij ekzekutivi ka njerëz anti UÇK.
“I nderojmë dhe i respektojmë të gjithë të gjithë dëshmorët, të pandalshëm edhe të periudhave kohore të historisë sonë të lavdishme, në përgjithësi, por në veçanti të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke i nderuar, duke i respektuar bëjmë kërkesë tek institucionet që secilës veprimtari, secilës luftë, përpjekje në përgjithësi, por në veçanti të luftës së UÇK -së t’i jepet vendi meritor. Kërkesë tjetër është që këto institucione sidomos në tri ulëset, kryetari i parlamentit, qeveria të respektojnë rrugën e bërjes së lirisë, sepse duke respektuar rrugën e bërjes së lirisë, duke respektuar të gjithë ata që kanë dhënë diçka për të ardhur deri këtu qëndrojmë mirë dhe ecim bindshëm në rrugën dhe amanetin e dëshmorëve. Përveç lirisë dhe çlirim, kishin synim edhe bashkimin…Arsyeja pse nuk jemi bashkë në shënimin e epopesë së UÇK-së është sepse ne si organizata kemi menduar dhe kemi vepruar që mos t’i fyejmë dëshmorët…Por brenda kësaj qeverie ka njerëz anti-UÇK që e kanë thyer luftën”, thotë Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve.
Edhe krerët e shtetit kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Vjosa Osmani u shpreh se nga Prekazi, brezat e rinj frymëzohen.
“Nga këtu jo vetëm ne që e përjetuam luftën, por edhe brezat e ri edhe fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë dhe gjak. Por, mbi të gjitha na përkujtohet secilit se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk të devijomë nga rruga e shtruar nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve.”, u shpreh presidentja Vjosa Osmani.
Së bashku në homazhe me presidenten Osmani ishte edhe kryeministri Kurti dhe kryetari i parlamentit Glauk Konjufca.
5, 6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore përballe forcave pushtuese serbe të Sllobodan Millosheviç./abcnews.al