Vijojnë në Itali bisedimet mes Legës dhe Lëvizjes 5 Yjet për mundësinë e krijimit të qeverisë. Mediat italiane shkruajnë se dhe Berlusconi ka dhënë mbështetjen e tij, Di Maio dhe Salvini i kanë kërkuar presidentit Matarella kohë deri të dielën.
Pas mbështetjes së dhënë nga Silvio Berlusconi, lideri i Forza Italia, pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë, liderët e Legës dhe Lëvizjes 5 Yjet vazhdojnë bisedimet në përpjekje për të krijuar qeverinë e re. Presidenti i vendit Matarella u ka dhënë 24 orë kohë Di Maios dhe Salvinit për të arritur një marrëveshje, por të dy kanë kërkuar më shumë kohë, deri të dielën.
Mediat italiane shkruajnë se marrëveshja e parë e arritur është ajo e një emri të tretë të profilit të lartë, si kryeministër i vendit. Por as Di Maio dhe as Salvini nuk pranojnë të bëjnë publik kandidatin e tyre pa arritur më parë një marrëveshje për pikat e programit të qeverisë për të cilin po punohet ende. Ndërkohë të dy liderët po reflektojnë nëse do të jenë ose pjesë e ekzekutivit të ri.
Sapo të arrihet marrëveshja, do u prezantohet anëtarëve të Lëvizjes 5 Yjet, të cilët do të votojnë nëse e pranojnë ose jo. Luigi di Maio i Lëvizjes 5 Yjet është treguar optimist në një video të publikuar në profilin e tij në “Facebook”, ku shprehet se me Salvinin po bëhen hapa të rëndësishëm para, dhe se të dy janë të përkushtuar për t’i dhënë vendit sa më shpejt një qeveri./abcnews.al