Qeveria gjermane reagon pasi Elon Musk shprehu përkrahjen për AfD-në

schedule22:19 - 30 Dhjetor, 2024

schedule 22:19 - 30 Dhjetor, 2024

Qeveria gjermane u përpoq të mos u japë shumë peshë qëndrimeve të shprehura nga miliarderi Elon Musk për zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, pasi ai shprehu sërish partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Zoti Musk shkaktoi debate gjatë fundjavës pasi mbështeti partinë AfD në një opinion të botuar në një gazetë të madhe gjermane, që nxiti dorëheqjen në shenjë proteste të redaktores përgjegjëse për rubrikën e opinioneve .

“Liria e shprehjes gjithashtu përfshinë edhe qëndrimet më pakuptim”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann, duke shtuar se nuk do të komentonte më shumë deklaratat e zotit Musk.

Ajo megjithatë tha se “në fakt Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale përmes deklaratave të tij”.

Në këtë kontekst, zëdhënësja Hoffmann po ashtu theksoi se partia AfD po vëzhgohet nga shërbimi i brendshëm gjerman i zbulimit nën dyshimet se është parti ekstremiste e krahut të djathtë dhe se tashmë ka një status të tillë në disa pjesë të Gjermanisë.

Gjermania do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt, pasi koalicioni qeverisës i Kancelarit Olaf Scholz, që përbëhej nga tre parti, u rrëzua muajin e kaluar pas mosmarrëveshjeve se si të rimëkëmbet ekonomia e ngadalësuar e vendit.

Opinioni i zotit Musk në gazetën ‘Welt am Sonntag’ që botohet në gjuhën gjermane gjatë fundjavës, është shembulli i dytë brenda muajit i përkrahjes që ai i jep partisë AfD.

“Partia ‘Alternativa për Gjermaninë’ (AfD) është shkëndija e fundit e shpresës për këtë vend”, shprehet zoti Musk në shkrimin e tij të përkthyer në gjuhën gjermane.

Ai tha gjithashtu se partia e djathtë e skajshme “mund ta çojë vendin drejt së ardhmes ku përparimi ekonomik, integriteti kulturor dhe inovacioni teknologjik nuk janë vetëm dëshira, por realitet”.

Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Tesla Motors po ashtu shkroi se investimet e tij në Gjermani i japin atij të drejtën të komentojë mbi gjendjen e vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!