Në Maqedoninë e Veriut, ministria e brendshme planifikoi një ligj që kufizonte të drejtën e protestës, i cili u miratua nga qeveria e Zoran Zaev. Por pas reagimeve të ashpra nga opinioni publik, propozimet për ndryshimin e ligjit u tërhoqën.
Pushtetarët në Maqedoninë e Veriut kishin planifikuar amendimin e ligjit për tubime publike dhe sipas ndryshimeve të bëra nga ministria e brendshme dhe të miratuara në qeveri, ndaloheshin protestat para godinave të institucioneve dhe në hapësirën përreth tyre. Po kështu, tubimet duhet të mbaheshin nga ora 6 deri në orën 23, dhe në protesta duhet të merrnin pjesë të paktën 50 persona. Ndalohej gjithashtu dalja në protesta e njerëzve të maskuar për shkak se ishte i vështirë të bëhej identifikimi. Në bazë të këtij ligji organizatorët detyrohen ta kthejnë në gjendjen e mëparshme vendin ku është mbajtur protesta ose ta kompensojnë dëmin eventual. Kryeministri Zaev tha se nuk synon të kufizojë të drejtat e qytetarëve, por ndryshime do të ketë pas konsultimeve më të gjera.
Qeveria vendosi tërheqjen e projektligjit dhe tha se do të dëgjojë reagimet e qytetarëve, organizatave joqeveritare dhe në përputhje me këtë do të bëhen ndryshime, për t’u kalaur më pas në procedurën parlamentare.
E drejta e protestave është e garantuar me Kushtetutë. Ndërsa sipas ligjit të tanishëm protesta mund të bëhet edhe nga një grup me të paktën 20 protestues./abcnews.al