Qeveria e Kosovës në mbledhjen online të mbajtur në orët e vona të së shtunës, ka marrë vendimin për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit, në marrëdhëniet me Serbinë.
Në njoftimin e Qeverisë bëhet me dije se vendimi i ndryshimit për marrëdhëniet tregtare me Serbinë nënkupton ndalimin e dokumenteve për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elementë të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Vendimi, sipas njoftimit, mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare.