Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar masat e reja anti-covid, të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e premte, më 20 gusht.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se masat kufizuese kanë për qëllim kontrollin dhe parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.
“Masat e këtij propozim-vendimi, nuk përcaktojnë në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar, apo që është i shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm për ta luftuar sëmundjen”, deklaroi Vitia.
Vitia bëri të ditur se nga 20 gushti do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen festat familjare, si dasma e fejesa. Ministri u shpreh gjithashtu se nga momenti i publikimit të vendimit, do të shkurtohet edhe orari i bareve dhe restoranteve. /abcnews.al/