Qeveria e Kosovës: Lokalet të mos ua ndalojnë klientëve ujin e pijshëm nga rubineti

schedule18:15 - 4 Korrik, 2022

schedule 18:15 - 4 Korrik, 2022

Qeveria E Kosovës u ka kërkuar lokaleve dhe restoranteve që të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi para kabinetit qeveritar standardet normative për cilësinë e ujit për konsum për ta mbrojtur shëndetin e njerëzve.

Me këtë vendim, për bizneset e gastronomisë vendosen rregulla në shërbimin e ujit për klientët.

“Me qëllim që të vendosim standardet normaltive për cilësinë ujit të destinuar për konsum njerëzor…. propozoj aprovimin e vendimit që: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti”, tha Latifi.

Ministri tregoi edhe rregullat në rast se objekti i gastronomisë nuk furnizohet nga ujësjellësi, raporton gazeta Express.

“Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet se furnizohet nga uji i puseve, pronari i objektit obligohet të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK-ja dhe këtë certifikatë ta ekspozojë në lokal”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!