Eksperti i Ekonomisë, Igli Tolaj tha se ngritja e Task Forcës së naftës, është një zgjidhje e përkohshme.
Në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Tolaj u shpreh se lidhur me situatën e çmimeve të naftës duhet një zgjidhje afatgjate.
“Në këtë moment që flasim kjo ndërhyrje, mendoj që kjo Task Forcë mund të jetë një zgjidhje e përkohshme. Në rastin e hidrokarbureve, rasti i Shqipërisë nuk është i vështirë për t’u zgjidhur. Pasi dihen shumë mirë cilat janë taksat që aplikohen dhe për këtë arsye duhet menduar një zgjidhje më afatgjate. Aplikimi i rritjes nisi akoma pa nisur mirë konflikti”, tha ai.
Nga ana e saj ekspertja e Ekonomisë Teuta Nunaj shpjegoi se rritja e çmimit të naftën u bë e menjëhershme ndërsa produkti që tregtohej ishte një produkt stok.
“Rritja e menjëhershme e çmimin ka ndodhur edhe si pasojë e vetë mënyrës së si veprojnë kompanitë. Kemi një rritje çmime ndërkohë që produkti që tregtohej ishte një produkt stok. Po kjo ishte për të përfituar nga koha për të realizuar fitimin më të madh. Dhe kjo solli edhe reagimin e qeverisë shqiptare për ta monitoruar tregun”, tha ajo.
/abcnews.al/


