“Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” për fëmijët e tre policëve të rënë në detyrë

schedule14:01 - 24 Janar, 2023

schedule 14:01 - 24 Janar, 2023

Mbështetja për fëmijët, prindërit e të cilëve humbën jetën në krye të detyrës, vijon me dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”.

Pas 15 fëmijëve të parë që përfituan këtë status të veçantë, sot, pas aplikimeve të reja dhe shqyrtimit të dosjeve në fazën e dytë, iu akordua statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” 3 fëmijëve të tjerë, duke nderuar aktin sublim të prindërve të tyre, të cilët sakrifikuan jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e jetëve të tjera.

Kryeministri Edi Rama priti sot në zyrën e tij, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu fëmijët e dy policëve të rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit dhe Roland Likajt, të shoqëruar nga familjarë dhe të afërm të tyre, të cilëve iu dorëzoi Satusin e posaçëm.

-DAJLAN dhe DENADA DOBRUSHI, (17 dhe 16 vjeç), dy fëmijët e Z. Shkëlzen Dobrushi, i cili është shpallur Dëshmor i Atdheut, me Vendim Nr 688, datë 02.10.2015, ka ndërruar jetë, për shkak të ushtrimit të detyrës si polic në vitin 2009, marrin Statusin “Fëmijë në Përkujdesje”, duke përfituar 70 % të pagës më të lartë të prindit dhe e përfitojnë deri në moshën 18- vjeçare dhe nëse vazhdojnë studimet e larta e përfitojnë deri në moshën 25 vjeçare.

SONJA LIKAJ (13 vjeç), fëmija e Z. Roland Likaj që ka ndërruar jetë, për shkak të ushtrimit të detyrës, në 18 tetor 2010, përfiton statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”. Me marrjen e këtij statusi, fëmija Sonja Likaj përfiton 100 % të pagës më të lartë të prindit dhe e përfiton deri në moshën 18- vjeçare dhe nëse vazhdon studimet e larta e përfiton deri në moshën 25 vjeçare.

Kryeministri Rama: Ne në fakt e kemi pasur goxha merak këtë punë edhe herë pas here kemi diskutuar që s’mund të jetë kjo histori me një ndihmë modeste si ajo q ishte sepse praktikisht janë fëmijë që humbasin një prind i cili është në punë, i cili ka një lagë që e sjell në shtëpi. Kështu që menduam ta bëjmë plus pagë domethënë jo thjesht sa paga por plus në mënyrë që të paktën nga pikëpamja ekonomike të mos kenë asnjë shqetësim për fëmijët dhe asnjë mungesë. Ndërsa përsa i përket pjesës së arsimit pastaj, ato janë ekstra. Kështu që, është mbase pak e vonuar por jo të gjitha gjërat i kemi ditur dhe i dimë, mësojmë rrugës dhe kuptojmë rrugës si mund ti bëjmë më mirë. Edhe në këtë pikë dhe me këtë status të them të drejtën ndihemi vërtetë të kënaqur sepse plotësohen në mënyrë shumë kuptimplotë të themi nevoja financiare. Pastaj dihet ajo pastaj, që edhe sikur të jetë pesëfish, boshllëkun nuk e mbush dot shpirtëror. Por besoj që këta kanë edhe vetëdijen që duhet t’i nderojnë deri në fund baballarët edhe siç janë krenarë për baballarët ti bëjnë dhe ata të buzëqeshin kur i shohin nga lartë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!