“Qentë si unë këtë përfundim meritojnë!” Letra e Petrit Dumes për Mehmet Shehun

schedule12:04 - 29 Shtator, 2020

schedule 12:04 - 29 Shtator, 2020

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohen dy letra të panjohura të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Petrit Dume, dërguar sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, që mbajnë datat 17 qershor dhe 16 tetor të vitit 1974, në të cilat bëhet fjalë mbi mosmarrëveshjet dhe kontraditat e thella që Shefi i Shtatmadhorisë kishte me Ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, lidhur me punën e tyre disa vjeçare në krye të Ushtrisë dhe konceptet e tyre mbi tezat e Këshillit të Mbrojtjes, etj.

Të gjitha akuzat e Dumes ndaj ministrit Ballluku, mendimet e dhëna nga ushtarakët e tjerë madhorë ndaj kontraditave të dy shefave të tyre, përgjigjia e Enverit ndaj letrës së Dumes, si dhe qëndrimi i Hysni Kapos e Mehmet Shehut ndaj letrës së Petrit Dumes, të cilën u’a dërgoi Enveri për t’u kërkuar mendimet e tyre?!

Letra e Petrit Dumes për Enver Hoxhën

Shoku Enver

Jam në një gjendje shpirtërore shumë të rëndë, sepse Partia për mua ka shtruar një sërë problemesh, të cilat unë duhet t’i jap përgjigje.

Për t’iu përgjigjur drejtë të gjitha këtyre çështjeve, unë mendoj se u duhet përgjigjur problemeve, si para daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut dhe atyre mbas daljes së tij.

Për sa u takon problemeve që dalin sot dhe që përgjigjja u jepet në situatën e sotme, çështjet janë më të plota dhe nuk e kam të vështirë, ndërsa problemet e dala në kohën kur Beqir Balluku ishte ministër, janë jo të gjitha të njohura: prandaj e shoh të arsyeshme t’ju raportoj juve për disa çështje shumë të rëndësishme, që Partia të dijë mendimet e tija në zhvillimin e problemeve para daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut, në mënyrë që të mund të ndihmojë Partinë dhe ajo të më këshillojë.

Vlerësimi i rrezikshmërisë së punës së Beqir Ballukut dhe denoncimi para Partisë

Para daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut, unë mendoja se ai, si ministër i Mbrojtjes, mund të punonte për zhvillimin e teorisë, pa ditur pikësynimin që kishte ai dhe metodat e gabuara të punës që përdorte ai. Ai mund të shqyrtonte dhe problemet që kishin të bënin me përmbajtjen e tezave të Këshillit të Mbrojtjes, të cilat duhet t’i rrihte me shokët e sektorit dhe po të ishin të përshtatshme, atëherë mund t’i raportonte udhëheqjes për të marrë vendim.

Shumë studime që gjoja bënte Beqir Balluku, i diskutonte me neve, i’a hidhnim poshtë, dhe ai formalisht i pranonte dhe bënte si i thoshim neve, i hidhte poshtë ato studime dhe gjoja jepte udhëzime plotësuese për t’i ribërë!

Këmbëngulja e tij për konceptet e gabuara që paraqiste herë pas here, patjetër që tek disa shokë ngjallën dyshime dhe këto dyshime rritën vigjilencën, por për derisa këto dyshime ishin akoma teorike, të paakorduara, të paaprovuara zyrtarisht nga neve dhe që nuk i ishin paraqitur udhëheqjes, ato s’ishim bërë fakt i kryer. Beqir Balluku kishte të drejtë të thoshte (ashtu siç thoshte), se duhet vazhduar studimi.

Duke parë këtë veprimtari për përmbajtjen e këtyre “studimeve”, ne kishim dyshime të fiksuara, ndërsa për sa u përket veprimeve të tij, akoma s’i kishim fiksuar.

Cilat ishin arsyet që këto dyshime unë nuk i raportova ashtu siç i kisha?

Në atë kohë, puna nuk ishte e lehtë, se unë do të ngrija një akuzë që duhej bazuar dhe bazimi të ishte vetëm bazim teorik, të cilën ai mund ta hidhte poshtë, duke thënë se edhe unë me këto mendime s’kam mbetur dakord akoma, ose fajet i kanë përpunuesit që s’më kanë kuptuar.

Sadopak, por edhe marrëdhëniet e acaruara që kisha unë me Beqirin, më kanë penguar të denoncoj, nga ndrojtja se mos quhesha grindavec dhe ambicioz.

Kur Beqir Balluku përpiloi një plan konkret për të vënë në jetë idetë e tij, gjoja për forcimin e mbrojtjes në bregdet, unë vërtetova plotësisht tentativat e tij armiqësore dhe e konsiderova atë si dokument që në fushën praktike kundërshtonte hapur planet e aprovuara të luftës, thyente parimet e tezave të Këshillit të Mbrojtjes, (siç janë decentralizimi i tankeve, mosbesimi në forcat vullnetare, frika dhe tmerri nga tanket e armikut, nënvlerësimi i artilerisë dhe mjeteve tona kundërtanke, etj).

Këto fakte, unë i’a parashtrova Beqir Ballukut dhe i kërkova që t’i raportojë lart, sepse unë mendimet e mia për këtë problem do t’ia raportoja udhëheqjes.

Nga ky fakt ai u tremb, gjë kjo që ngjau tre-katër ditë para mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, ku unë më në fund denoncova kundërshtimet e mia.

Partisë nuk ju desh shumë kohë për të konkluduar, sepse ajo është e madhe e mençur, reagoi menjëherë drejt dhe rreptë, ndërsa unë me ngathtësi dhe hezitim thellohesha në punën e rrezikshme të Beqir Ballukut, ndërsa për sa i përket punës armiqësore, nuk kam menduar.

Shtrohet problem se mos unë kam menduar se udhëheqja e Partisë do të përkrahte Beqir Ballukun?!

Unë kam ditur dhe kam qenë i qartë mbi atë që mendonte udhëheqja e Partisë për Beqir Ballukun, ashtu dhe për mua. Unë e dija se udhëheqja i njihte mirë aftësitë e tij të kufizuara dhe ekuilibrin e tij.

Shpeshherë nga udhëheqja mua më ishin dhënë këto shenja, bile në 1966 dhe më 1970, në një ballafaqim që unë kam pasur me Beqir Ballukun në Byronë Politike. Në të pesë këto ballafaqime, juve shoku Enver i keni bërë atij kritikat më të rrepta dhe hapur i kini thënë se: ‘ti Beqir Balluku, kërkon të eliminosh Petritin’, prandaj shoku Enver, unë sado naiv që të isha, si do të mendoja se Beqiri përkrahet nga udhëheqja, duke njohur në mënyrë të veçantë rreptësinë dhe drejtësinë tuaj karshi këtyre devijimeve!

Këtë barrë nuk e mbaj dot shoku Enver dhe nuk ma pranon ndërgjegja.

Më lejoni shoku Enver t’ju jap një sqarim, se ndoshta mos ka një keqkuptim.

Mbas daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut, kam shkuar në Durrës, atje më takoi shoku Shefqet dhe më tha se ju i kishit treguar gjithçka. Ai për këtë më kërkoi ndonjë kuriozitet dhe hollësi dhe unë me zëmër të hapur i kam treguar, duke u munduar të tregoj korrektësinë dhe modestinë. Shefqeti më tha: ‘kur më tregoi shoku Enver historinë e Beqirit, i thashë, shoku Enver; ai ka qenë i pazoti dhe juve e keni ndihmuar shumë. Për këtë gjë më tha Shefqeti, më duket sikur bëra gabim dhe nuk më zuri gjumi natën. Unë i thashë, se: ‘ty Shefqet, shoku Enver të kupton gjithmonë drejtë dhe në qoftë se të ka mbetur ndonjë peng, thuaja shokut Enver’. Shoku Shefqet mund të pyetet dhe po të ketë marrë përgjigje të tjera nga unë, atëherë Partia të tregohet e rreptë dhe e pamëshirshme.

Në raportin që ju paraqiti Byroja Politike nga komisioni, për mua thuhej se kisha nxjerrë gjysmë zëri për denoncimin e Beqir Ballukut, isha kuadër me vlera për Partinë dhe për Ushtrinë, por kritikohesha dhe për shumë të meta, të cilat unë me ndërgjegje i pranova të gjitha, bile edhe më shumë.

Në Byronë Politike juve e vlerësuat diskutimin tim, më bëtë kritika dhe unë i pranova ato me gjithë shpirt.

Në Aktivin e Ushtrisë në adresën time, flitej për merita, por gjithashtu më bënë kritika pune dhe karakteri, të cilat ishin të drejta.

Në organizatën e Partisë bëra autokritikë. Kjo autokritikë ishte lexuar nga shoku Mehmet dhe Hysni dhe që të dy më thanë se ke bërë mirë që ke thelluar autokritikën, d.m.th. e vlerësuan autokritikën time. Në organizatat dhe Komitetet e Partisë të Ushtrisë janë folur fjalë të mira për mua, sidomos në ato komitetet ku isha unë, i detyruar i kritikova shokët dhe bëra autokritikë, duke u thënë atyre se mund të kem bërë një punë të mirë, por i kam bërë shumë të këqija Partisë. I kam borxh dhe dua që me punë t’ia shlyej.

Ka nga ata që më kanë mburrur shumë, por unë i kam kundërshtuar, nuk përjashtoj që me llafe nuk kam pranuar, por me ndërgjegje po, kjo mundet se mbeturinat kanë krijuar imunitet tek unë dhe ato më bënë të mendoj ndryshe dhe të veproj ndryshe.

Gabime në punën dhe në karakterin tim kam plot dhe unë do të mundohem të bëjë autokritikë dhe në jetë t’i ndreq me ndihmën e Partisë dhe tuajën, atyre kurrë nuk u jam ruajtur dhe nuk u jam trembur dhe kurrë s’më kanë prerë dhe nuk do të më presin hovin në punë dhe besimin për t’i ndrequr ato.

Mbase është shumë vonë, por fjala e fortë, e rreptë dhe e drejtë e Partisë në të gjitha momentet dhe situatat është inkurajuese dhe shpëtimtare.

Shëndet dhe jetë të gjatë

(Petrit Dume)

Datë, 16. 10. 1974

Letra e Enverit për Hysni Kapon me autokritikën e Petrit Dumes

17 tetor 1974

Shoku Hysni

Rilexoje me kujdes një tjetër autokritikë të shokut Petrit Dume. Për të mbuluar fajin po trillon në kokë si të gjejë një arsye “të vlefshme që atij, nuk i paska humbur kurrë besimi ndaj udhëheqjes dhe ndaj meje”.

Po ngatërrohet më shumë duke u përpjekur të shfajësohet. Me këtë letër që më dërgon, ai do të thotë përveç tezës që nuk erdha të denoncoja Beqir Ballukun, pse nuk kish ardhur në konkluzione etj., por edhe kur erdhi në konkluzione, pse nuk erdhi, këtë i kërkojmë ne të thotë, atëherë Petriti kërkon të më bindë, se “kot nuk ka ardhë”, me një fjalë, pse ti shoku Enver të kisha parë se si e godisje rendë Beqir Ballukun, që tentonte të më binte në qafë etj. Me këtë don të më thotë se “Ti Enver ke qenë kurdoherë kundër Beqirit dhe pro meje, Petritit”, prandaj, me fjalë të tjera, “Si të humbisja unë besimin tek ti, unë isha i prerë të vija tek ti, por kot nuk erdha”!

Domethënë: “Kjo pretendohet se kish humbur besimin tek ju, nuk qëndron”, prandaj më këshillon ta tërheq me fjalë të tjera.

Çështja e dytë që ka gjetur për të vërtetuar se: “Çështja e humbjes së besimit, nuk mund ta pranoj, është ajo se autokritikat që ka bërë për këtë çështje, janë ‘gjetur nga ne të mira’, bile ai ka pranuar gabime dhe më shumë”.

“Atëherë si bëhet që tashti unë Petriti po akuzohem për këtë mosbesim” dhe për këtë ka gjetur një arsye që gjoja e hedh si pa të keq, por që nuk është gjë tjetër veçse një trillim intrigë kundër Shefqet Peçit! Kjo është akoma më e ligë dhe më e keqe për të. Ai lë të kuptojë “Shif shoku Enver, se mos të ka ngatërruar Shefqeti dhe të ka çuar në mendim të gabuar karshi meje, pse është Shefqeti ai që më tha se atë, (Shefqetin) nuk e zuri gjumi gjithë natën, ose më paskësh thënë mua kur e vura në korrent për çështjen e Beqir Ballukut, se Beqir Balluku nuk qenkësh gjë, dhe ju e keni ndihmuar”. “Unë – vazhdon Petriti, – nuk i thashë gjë Shefqetit, pyeteni etj”. Me fjalë të tjera ai do të thotë: “Shefqeti mos ka ardhur tek ty dhe ka raportuar, ose më mirë ka shpifur për mua, dhe atij që ai (Shefqeti), ka thënë vetë, i vë në gojën time (Petritit)”.

Po pse ka arritur të trillojë kështu për Shefqetin? Unë mendoj se, e para: në vend që të reflektojë gabimet e tij, imagjinon si të gjejë një gjë për ta fshehur fajin. Dhe e dyta ti e din incidentin që ngjau në mes Shefqetit dhe Petritit në lojën ushtarake, ku Mehmeti me të drejtë e kritikoi rëndë Petritin. Atëherë Petriti ka menduar se Shefqeti ka qenë i zemëruar dhe për t’u hakmarrë, erdhi tek unë dhe shpifi për Petritin dhe unë e hëngra e rashë brenda, prandaj akuza e “mosbesimit”, reduktohet në “mosmarrëveshje”. Këtu qëndron dhe intriga e Petritit, që kërkon të ngatërrojë dhe shokun Shefqet, që është xhevahir dhe krejt i larë nga këto gjëra, ne e njohim Shefqetin, ai shpesh më thotë: “Të gjithë këto të mira na i ke bërë tij shoku Enver, etj.”.

Mundet dhe atë çka thotë Petriti se i ka thënë Shefqeti, të jetë e vërtetë, pse Shefqetit i ka rënë si bombë çështja e Beqir Ballukut dhe se “ka zënë gjumi natën”. Kjo ka ngjarë me siguri për tradhtinë e Beqir Ballukut dhe jo pse më tha mua se “e kam pas ndihmuar atë”, se ai “nuk ishte gjë”. Mirëpo Petritit ky interpretim i intereson dhe prandaj na e raporton. Nuk është mirë për Petritin që përpiqet të mendojë shfajësime të kota, në vend që të pohojë të vërtetën. Prandaj vura në dukje këto gjëra dhe e këshillova, të vërë kokën në duar dhe të lexojë thellë mbi çdo fjalë, në fjalimet e shokëve të Byrosë dhe të miat. Ndryshe nuk kemi si ta ndihmojmë, kur ai nuk e ndihmon vetën dhe Partinë.

Enver

Përgjigjia e Hysni Kapos në letrën që Enveri i dha për Petrit Dumen

U thirr shoku Petrit dhe hapët i thamë mendimet mbi letrën që bën. Ajo nuk është autokritikë, por përpjekje për të mos bërë autokritikë, bile me sa shprehet në letër, ai trillon për të fshehur të vërtetën dhe ç’është më keq, për të ai me ato trillime arrin në konkluzione shumë të gabuara për udhëheqjen e Partisë dhe shokun Enver se i influencuar nga shoku…. Ia kam bërë vërejtje Petritit për konceptet shumë të gabuara që shpreh në letrën mbi Partinë dhe të tjera problemet dhe normat e saj dhe si përherë e këshilloi shoku Enver që të studiojë me vëmendje çdo fjalë të mësimeve të shokut Enver dhe kritikat që bënë shokët e Byrosë dhe të bëjë autokritikë të hapur para Partisë të shikojë shkaqet dhe lidhjet përse ka bërë faje dhe gabime kaq të rënda. Petriti e vlerëson thirrjen që iu bë si urdhër dhe premtoi se do të thellohet.

Hysni Kapo

18.X.1974

Letra e Petritit nga burgu për Mehmet Shehun, që t’i falnin jetën!

KRYETARIT TE KESHILLIT TE MINISTRAVE TE RPSH TIRANE

Me punën tonë armiqësore që kemi bërë në ushtri për një kohë të gjatë, i kemi sjellë dëme të mëdha ushtrisë dhe Partisë. Unë asaj nuk mund t’ia laj këtë borxh, jo vetëm me kokën dhe jetën time, por edhe të kalamajve të mi, edhe sikur të varesha unë pesë herë, pak është.

Vdekjen nuk e kam frikë, se qentë si unë këtë përfundim meritojnë, por kur dëgjova sot ulërimat e fëmijëve të mi që i luteshin kryeministrit për faljen e jetës sime, mendova t’i lutem Partisë të më japë mundësi të jetoj për hir të atyre zërave të llahtarshëm të fëmijëve, që të kem mundësi që të shoh dhe të mbaj në gji fotografinë e tyre.

Partia ka bërë shumë për mua, i lutem, i lutem, i lutem asaj edhe njëherë para vdekjes, që ta bëjë si gjithmonë zemrën e gjerë. Në këtë situatë që jam unë dhe familja ime, sot vetëm dalja në oborr si të akuzuarit e tjerë, do të ishte një gëzim dhe inkurajim i madh për ne (si për fëmijët, ashtu edhe për mua).

Varianti për procesin konkretisht mbas pesë muaj pune me hetuesit në reflektimet e mia kam nxjerrë këto konkluzione: – Që nga mosha rinore e deri më sot karakteri tim diku ka mbetur ai që ka qenë dhe diku ka bërë hapa prapa, sidomos mëndjemadhësia, prepotenca dhe arroganca, kjo si pasojë e kultit tim që në të gjitha funksionet është rritur dhe zhvilluar.

– Qëndrimi që mbajta unë karshi anti-tezave me mosdenoncimin e tyre, më radhiti me përkrahësit dhe pjesëmarrja ime në punën armiqësore, kështu që në këtë drejtim u bë aktiv e jo më pasiv.

– Literatura ushtarake për të cilën unë kam thënë se kam doza të vogla ideologjike dhe e zbut rrezikshmërinë e saj, është e drejtë. Në të vërtetë, ajo ka më pak doza ideologjike, por sasia e saj e shpërndarë, në Ushtri është shumë më e madhe se literatura ideologjike, kështu që unë radhitem në frontin e punës armiqësore bashkë me Rrahmanin dhe Sadikun.

– Në letrën e hapur, që ndërmjet shumë problemeve, vendin qendror e zinin komitetet dhe gradat, unë u paraqita me dy fytyra në pamje, dakord, por në brendësi ruaja një sërë rezervash, pra dhe këtu radhitem me Beqirin dhe Hiton dhe në të gjitha problemet e tjera të revolucionarizimit të Ushtrisë.

– Unë nuk kam qenë një kuadër që vetëm u lejoja privilegje të tjerëve, por unë vetë isha i predispozuari dhe shikoja në kurriz të ekonomisë, pra e shkëputa veten nga rrethi i punës dhe ato duke më imituar mua, e shkëputën vetën nga masa, pra me përjashtim të Beqirit, më i privilegjuari dhe më dëmtuesi i vijës së masave, kam qenë unë.

– Rregulloret sovjetike më kishin bërë për vete dhe isha kaq i familjarizuar me to, sa më dukesh sikur të gjitha t’i kishim bërë vetë e për konditat tona, prandaj puna u zvarrit nga unë në radhë të parë dhe kështu që jo vetëm u bëra fajtori kryesor, por edhe mbrojtësi i tyre.

– Komandimi unik ka pasur rrënjë të thella tek unë dhe kjo pikëpamje ka sjellë në ndërgjegjen time shumë të këqija të tjera si hierarkia, prepotencën e arrogancë. Këto shfaqen qartë tek urdhrat që kam lëshuar për Komitetet e Partisë. Vërejtjet e bëra nga unë në raportin e Hitos mbi kuadrin, si nga forma dhe nga përmbajtja, tregojnë lakuriq Petritin unik, në hierarkinë mbi Partinë dhe prepotent që kërkoja që problemet t’i zgjidhja me autoritetin e një njeriu pa Partinë në rreth.

– Shkollën e Partisë e dëmtova dhe bashkë me të tjerët mbajmë përgjegjësi të rëndë, konstatimet që bën Partia sot më vënë mua para fakteve që ajo është sabotuar, është zgjidhur pjesërisht vetëm nga ana organizative ose mekanike duke e lënë anën ideologjike e politike pas dore, kjo tregon teknokratizmin tim dhe të shokëve të tjerë. Sot është fakt se ne kemi rrahur ujë në hava, ndërsa Partisë i duhet të fillojë nga e para. Ky është krim që unë e kuptoj thellë dhe rëndë.

– Këto konkluzione në disa probleme kryesore i theksoj sot, pasi në proceset e bëra i kam nxjerrë të zbehta (duke mos pretenduar se këto i ka të gjitha mirë). Kjo punë e zbehtë dhe ngurrim shpeshherë para hetuesve vjen se tek unë dhe në ndërgjegjen time ka shumë e shumë mungesa, që edhe një kuadri të thjeshtë nuk i lejohen. Komandanti suprem në fjalimet e tij ka theksuar me forcë se unë Partinë e kam dashur sipas qejfit dhe jo si duhet ta dua nga ana ideologjike dhe se unë nuk kam qenë i thellë. Këto kritika vërtetohen edhe njëherë nga qëndrimet e mia në procese të ndryshme.

– Jam akuzuar rëndë se kam zhvilluar punë armiqësore e puçistë, këtë s’e kam pranuar. Mua më duket se rruga që kam ndjekur dhe kuadro të tjerë kryesorë këtu të çon, pavarësisht se plan a qëllim armiqësor nuk kam pasur, por lëshime në anti-tezat, fshehja e gjendjes nga udhëheqja, mbledhje të anëtarëve të Plenumit në mënyrë fraksioniste (në qoftë se s’mund ta quajmë puçistë) të çojnë në konkluzionet e Partisë, se po të mos kapej problemi nga ajo, neve urtë e butë po shkonim në greminë. Për vete po e po, por po shpinim dhe ushtrinë ku e shpunë gjeneralët ushtrinë sovjetike.

Burg, më 9. 5. 1975

Petrit Dume

Letra e Mehmetit drejtuar Enverit për mëshirën që kërkonte Petrit Dume

Shoku Enver

Për njoftim po ju dërgoj këtë letër dhe një material të Petrit Dumes që më dërgoi Kadriu. Me anë të letrës Petrit Dumja kërkon mëshirë, kurse në materialin tjetër, formulon konkluzionet e tij mbi punën armiqësore që ka bërë.

12.V.1975

Mehmet Shehu

Përgjigja e Enverit për letrën e Mehmet Shehut

Asnjë mëshirë për këta armiq të betuar të Partisë dhe të atdheut socialist.

12.5.1975

Enver

Letra e Hysni Kapos ku aprovon vendimin e Enverit për dënimin me vdekje të Petrit Dumes

Jam shumë dakord me shënimin e shokut Enver.

Asnjë mëshirë për tradhtarët.

Hysni Kapo

12.5.1975

Shoku Enver dhe shoku Mehmet e panë më datë 10.X.1974./Memorie.al

/memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!