Kërkesa e kreut të shtetit për anullimin e projektit të Unazës së re, ka sjellë reagimin e kryeministrit Rama në Twitter. Shefi i ekzekutivit e rreshton presidentin me opozitën, për nga qasja dhe veprimet. Për institucionin e presidentit kryeministri nuk duhet të bëjë këto reagime jo serioze, por të sqarojë përse nuk është bërë konfiskimi i sigurimit të kontratës që lidhi me kompaninë “DH Albania”.
“E vërteta është se Ilir Meta është drejtuesi më serioz i opozitës”.
Kështu e sheh kryeministri Edi Rama Presidentin e Republikës pas qëndrimit që publikoi për projektin e Unazës së Madhe.
Në një postim në Twitter kreu i qeverisë shkruan se “Presidenti, Kushtetutën e lexon njësoj si opozita”.
“Kushtetutën e lexon njësoj si ata. Qeverinë e urren njësoj si ata. Rrëmujën e uron njësoj si ata. Po ndryshe nga ata, ai i ul vartësit të mbushin çarçafë me dokrra “ligjore” dhe budallallëkut i del për zot pa pikën e galjes”.
Aspak serioz e konsideron këtë reagim të kryeministrit zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi. Pasi i bën llogaritë e shumës që i kanë dhënë kompanisë fituese me dokumenta të falsifikuara “Dh Albania” i rikujton se shuma e sigurimit të kësaj kontrate është rreth 1 812 000 Euro.
“A ka kërkuar sipas rregullave të prokurimit publik qeveria dhe ARRSH konfiskimin e kësaj vlere (sigurimin e kontratës) për llogari të Shtetit Shqiptar, pasi u faktua se kontratën e kishin lidhur me një kompani fantazëm?
A ka mundur shteti të garantojë interesin publik në këtë rast, duke konfiskuar sigurimin e kontratës, apo edhe ky dokument (sigurimi i kontratës) ka qenë i falsifikuar?!
Këto dhe shumë detyra të tjera, ligji ja ngarkon Kryeministrit dhe vartësve të tij që t’i bëjnë”, shkruan zëdhënësi i presidentit i cili e mbyll reagimin e tij me një shprehje popullore:
Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla. Nuk ka munguar as reagimi i kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, sipas të cilit Ilir Meta po mbështet 1% të banorëve të Tiranës dhe jo pjesën më të madhe të saj, që është 99%.
“Nëse Presidenti inkurajon këtë 1% të hurit e zjarrit, kot që flasim”, shkruan qytetari i parë i Tiranës.