“Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut gati për t’u hapur”, Qato: Synimi ta çojmë në zero numrin e aksidenteve

schedule20:41 - 5 Qershor, 2025

schedule 20:41 - 5 Qershor, 2025

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, ka bërë me dije se së shpejti do të hapet Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, që pritet të mbulojë deri në 800 kilometra rrugë në të gjithë vendin.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Qato tha se në fillim pritet rritje e numrit të shkeljeve të konstatuara, por me ndërgjegjësimin e qytetarëve kjo shifër do të bjerë.

Ai theksoi se objektivi madhor i Policisë Rrugore është ulja drastike e aksidenteve, deri në synimin final të “zero viktimave”, në përputhje me vizionin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2050.

“Në të ardhmen shumë shpejt do të hapet dhe qendra kombëtare e monitorimit të trafikut, e cila do të ketë 200 kilometrat e para deri në 800 kilometra dhe është normale që në fillim do të ketë një rritje të numrit të konstatimit të këtyre shkeljeve. Por, më pas do të vijë në ulje, sepse qytetarët do të ndërgjegjësohen.

Është arritur projeksioni sipas strategjisë, në vitin 2009 kishim 324 aksidente me pasojë, kurse vjet ishin 175. Dhe jemi duke avancuar me strategjinë e re të Policisë Rrugore, e cila është duke u hartuar. Kemi punuar me të gjithë faktorët që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore, ne synojmë që të arrijmë objektivin, ta ulim këtë shifër.

Synimi është zero, por ne flasim në projeksion, duke parë gjithë infrastrukturën. Nuk është një regres është në progres, qëllimi jonë është që të ketë zero aksidente. Ky është objektivi madhor, sepse dhe objektivi i OBSH-së është që në 2050-ën të ketë zero aksidente. Por, kjo lidhet me teknologjinë e mjeteve, infrastrukturën, dhe ndërgjegjësimin, ka shumë faktorë nuk është vetëm Policia Rrugore”, tha Qato./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!