EMRI/ Qëlloi me armë zjarri drejt një lokali në Tropojë, arrestohet 38-vjeçari

schedule11:49 - 18 Janar, 2021

schedule 11:49 - 18 Janar, 2021

Vihet në pranga 38-vjeçari Riza Hajdaraj i shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur më 20 Maj të vitit të shkuar. Sipas bluve Hajdaraj bashkë me një person tjetër kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në fshatin Sopot, ku ndodheshin shtetasit B. Rr. dhe G. Rr.

Lidhur me këtë ngjarje është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i Hajdarajt, G. K. si dhe një nga personat që ndodheshin brenda lokalit pasi është kundërpërgjigjur me armë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

“Kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas lokalizimit të vendndodhjes, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit: R. H., 38 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë, në datën 14.07.2020, ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të datës 07.07.2020, të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim“ mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Më datë 25.05.2020 është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në fshatin Sopot, ku ndodheshin shtetasit B. Rr. dhe G. Rr. Në përfundim të veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit R. H. dhe G. K. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi G. Rr., i cili është kundërpërgjigjur me armë nga brenda lokalit, pas konfliktit për motive të dobëta.

Vijon puna për kapjen e shtetasve G. K. dhe G. Rr. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./mv.abcnews.al