Ish-guvernatori i shtetit meksikan të Jalisco u qëllua për vdekje të premten në tualetin e një restoranti pranë plazit të Puerto Vallarta. Për eleminimin e zyrtarit dyshohet të kenë gisht kartelet e drogës në vend.
Zyrtarët e shtetit të Jalisco thanë se ish guvernatori Aristoteles Sandoval u qëllua në shpinë nga një person i paidentifikuar ndërsa rojet e tij të sigurisë ishin jashtë restorantit.
Mandati i Sandoval si guvernator 2013-2018 u la në hije nga ngritja brutale e Kartelit të Brezit të Ri Jalisco (CJNG), që u bë një nga bandat më të fuqishme të drogës në vend.
Prokurori i përgjithshëm i shtetit Jalisco Gerardo Octavio Solis tha se 46-vjeçari Sandoval kishte qenë me tre persona të tjerë në restorantin në qendër të Puerto Vallarta dhe u vra me armë rreth orës 1.40 të mëngjesit pasi u ngrit për të shkuar në tualet.
Një nga truprojat e Sandoval u plagos rëndë gjatë përleshjes me armë, i tha Solis radios meksikane.
Prokurori i përgjithshëm tha se restoranti kishte “manipuluar” skenën e krimit, duke pastruar gjurmët e gishtërinjve dhe duke marrë kamera sigurie në përpjekje të dukshme “për t’i shmangur drejtësisë”.
Ai tha se hetuesit besuan se 8-10 të dyshuar ishin të përfshirë në sulm, por nuk treguan se kush ishte përgjegjës. Një zyrtar federal tha se autoritetet dyshuan në përfshirjen e CJNG.
Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador dha ngushëllimet e tij dhe u zotua t’i sjellë autorët e krimit para drejtësisë.