Omicron po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, me ekspertët që pretendojnë se 40% e popullsisë globale do të infektohet brenda dy muajve të ardhshëm. Kjo duket mjaft befasuese, por ne ende nuk e dimë nëse Omicron shkakton sëmundje më të rënda se variantet e tjera shqetësuese.
Megjithatë, të dhënat deri tani janë më pozitive.
Numri i të shtruarve në spital me Delta dhe rritja e vdekshmërisë është më e lartë se Omicron. Megjithatë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, tha: “Ndërsa Omicron duket se shkakton më pak simptoma të rënda në krahasim me Delta, veçanërisht te personat e vaksinuar, kjo nuk do të thotë se duhet të cilësohet si i butë”.
Por lind pyetja pse Omicron është më i lehtë se Delta? A ka ndryshime te Omicron që e bëjnë atë më të lehtë?
Ka dy aspekte për këtë. Së pari, Omicron nuk infekton qelizat e mushkërive, por prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes, ashtu si koronaviruset e tjerë që qëndrojnë në hundë dhe fyt, si OC43, një nga koronaviruset që shkakton ftohjen e zakonshme.
Kjo është në përputhje me simptomat më të buta që shkakton Omicron, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me dhimbje fyti dhe kollë të thatë. Vetëm kur SARS-CoV-2 infekton mushkëritë, ndodh një sëmundje e rëndë, e cila përfshin simptoma të tilla si vështirësi në frymëmarrje, raporton abcnews.al
Megjithatë, ekziston një aspekt i dytë se përse Omicron nuk shkakton sëmundje të rënda. Dhe kjo është për shkak se një pjesë kyçe e sistemit imunitar, qelizat T, janë në gjendje të trajtojnë Omicron.
Një shqetësim i hershëm ishte se Omicron mund të shmangte disi sistemin imunitar, dhe kjo në fakt është e vërtetë kur bëhet fjalë për antitrupat. Proteina “spike” në sipërfaqen e virusit SARS-CoV-2 është një objektiv kryesor për antitrupat, pasi ndalon që virusi të infektojë organizmin, duke siguruar në këtë mënyrë mbrojtje.
Por lajmi vërtet i mirë është se qelizat T ende mund të njohin dhe eliminojnë Omicron. Emir i qelizave “T” vjen nga timusi, që gjendet në pjesën e sipërme të kraharorit. Ata veprojnë në një mënyrë të ndryshme ndaj antitrupave. Kur një qelizë infektohet me një virus, ajo merr një pjesë të proteinës “spike” nga virusi dhe e nxjerr në sipërfaqen e tij.
Qelizat T, falë sensorëve që kanë, ngjiten në qelizën e infektuar dhe e vrasin atë, raporton abcnews.al
Kjo mund të duket dramatike, por është shumë efektive. Vrasja e qelizës do të thotë që virusi gjithashtu eliminohet, është si një shpërthim i kontrolluar. Prandaj, ky proces mund të kontrollojë virusin dhe të parandalojë sëmundje të rënda.
Antitrupat janë si plani A: ata ndalojnë virusin të hyjë në qeliza. Qelizat T janë plani B: nëse virusi infekton një qelizë, ato e vrasin atë qelizë, duke e ndaluar virusin të përhapet.
Ata ende veprojnë kundër tij, sepse pjesët e proteinës “spike” që vendosen në sipërfaqen e qelizës së infektuar nuk kanë ndryshuar shumë te Omicron. Qelizat T në trupin tuaj që janë krijuar për të luftuar një version të mëparshëm të spike (i cili është në vaksina) arrijnë të kryejnë funksionet në mënyrë përfekte.
Disa studime kanë treguar se qelizat T të krijuara nga vaksinat kanë ruajtur aftësinë e tyre për të luftuar Omicron. Sistemi juaj imunitar është skalitur nga miliona vite evolucion. Dhe kështu në këtë mënyrë qelizat T janë të afta të përballen me variantet e ardhshme.
Qelizat T janë një arsye për optimizëm se së shpejti pandemia mund të marrë fund.
/abcnews.al