Qarkullimi i kamionëve orar pa orar pa asnjë kufizim ishte kthyer në një problem të mprehtë për banorët e Tiranës. Nisur nga situata shqetësuese që ishte krijuar, bashkia e kryeqytetit vendosi një orar për qarkullimin e tyre. Në atë kohë u tha se nuk do të tolerohej askush dhe se masat do të ishin të rënda për çdo shkelës.
Por, nga një monitorim i bërë prej Abc News, situata paraqitet ndryshe. Rezulton se shumë mjete të tonazhit të rëndë qarkullojnë në zona të ndaluara për ta duke shkelur me të dyja këmbët orarin e vendosur nga bashkia.
Qytetarët ndjehen të kërcënuar dhe detyrohen të ecin në rrugë kur bllokohet trotuari nga kamionët dhe mjete te tjera te renda.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, automjetet nga 3.5 ton e deri tek ato me tonazh të rëndë nuk duhet të qarkullojnë në rrugët e brendshme të Tiranës gjatë orëve 07: 00-09:00 të mëngjesit e deri 16:00-1800 të pasdites.
Por nga një vëzhgim që ABC News ka bërë në disa akse kyçe të kryeqytetit duket se ky urdhër nuk zbatohet ose në rastin më të keq kryhet në mënyrë preferenciale nga Policia Rrugore e Tiranës.
Mjete të rënda kthehen në rrezik real për kalimtarët. E njëjta gjë ndodh edhe në bulevardin “Zhan D’ark” pranë ministrisë së Jashtme. Qytetarët kërkojnë të paktën punimet të bëhen natën pasi ndjehen të rrezikuar kur kalojnë në trotuare.
Në redaksinë e lajmeve të ABC News kanë mbërritur me dhjetëra denoncime për kamionë dhe betoniere që shkelin orarin e paracaktuar nga Bashkia e Tiranës.
Situata e krijuar, përveç se është kthyer në një problem të madh për banorët e kryeqytetit nxjerr në pah edhe një fenomen negativ të zbatimit ligjit dhe rregullave në vend.
Kjo, pasi burime konfidenciale për Abc News nga Policia Rrugore konfirmojnë se pavarësisht kufizimeve të vendosura, mjetet e kompanive të caktuara që ndërtojnë në Tiranë janë “të paprekshme” nga askush duke lëvizur lirshëm në qytet kur dhe ku të duan.
/ABC News Albania