Në qarkun e Elbasanit mungojnë mjetet zjarrfikëse. Disa nga bashkitë ose nuk kanë fare ose i kanë të vjetra. Kur në këtë qark bie zjarr, situata bëhet e rëndë.
Janë mjetet e vetme zjarrfikëse që duhet të përballojnë rastet e zjarreve në qarkun e Elbasanit. Diku mungojnë fare, diku ato janë shumë të vjetra.
Në Belsh dhe Cërrik nuk ka asnjë zjarrfikëse. Ne raste zjarresh ose vijnë zjarrfikëse të qyteteve fqinje, ose pushteti vendor tenton t’i shuajë me mjete rrethanore dhe fadroma.
Bashkia e Cërrikut ka një territor prej 186 kilometrash katrorë dhe është tërësisht e pambuluar me këtë shërbim.
Në fakt, personeli ekziston, por nuk ka infrastrukturën që nevojitet.
“Godina që shihni pas meje ndodhet në lagjen nr. 3 të qytetit të Cërrikut. Dikur ka shërbyer si stacion zjarrfikësesh për zonën industriale të këtij qyteti. Por siç e shihni qëndron në këmbë vetëm nga disa mure. Me ndërhyrjen e Bashkisë Cërrik është kërkuar që kjo godinë të kthehet në repart zjarrfikësesh për këtë bashki. Por siç e shihni, deri më tani nuk është bërë asgjë. Sipas informacioneve të marra, Bashkia Cërrik vuan njëkohësisht edhe mungesën e një mjeti zjarrfikës”, raportoi gazetari i ABC News, Fatos Salliu.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Bashkia Belsh. Librazhdi, Prrenjasi, Elbasani dhe Peqini kanë zjarfikëse të vjetra.
Më mirë paraqitet Gramshi, dhe kjo falë iniciativës për ta përshtatur një mjet të ushtrisë në zjarrfikëse. Së fundmi qeveria ka akorduar një fond pagash për personel zjarrfikës edhe në ato bashki ku ky repart nuk ekziston.
Gjë që do të thotë se personeli zjarrfikës do të paguhet, edhe pse nuk ka as mjete dhe asnjë mundësi për të ndërhyrë në raste zjarri./abcnews.al