Harallamb Qaqi, mbrojtësi i Skënderbeut, doli sot para mediave dhe foli për ecurinë e korçarëve, ku vuajnë dhe problematikat që kanë pasur. “Asnjëri nuk e priste këtë ecuri, duke parë fillimin e kampionatit. Na ecën keq ndeshjet brenda, por besoj se me Bylisin, që është një finale për ne, do të futemi sërish në lojë.
Të gjithë si grup nuk kemi treguar atë që mund të japim. Nuk kemi qenë as me fat, sidomos në sfidat brenda. Kemi pasuar disa dëmtime të rëndësishme që na kanë prishur punë. Ndoshta në merkato mund të marrim 2-3 lojtarë që me të vërtetë mund të na ndihmojnë”, tha mes të tjerash Qaqi, i cili më parë qenë pjesë e Laçit, Kukësit dhe Kamzës në Superiore.
“Çështje rrogash? Mund të ketë disa vonesa, por jemi mirë. Nuk mendoj se ndikon, pasi lojtari nuk mendon a ka një apo dy rroga pa marrë. Mendon të luajë, në fushë nuk ndikon”, shtoi mbrojtësi i Skënderbeut, ndërkohë që iu kujtua humbja e fundit me Vllazninë me rezultatin 5-1.
“Mundohemi ta harrojmë ndeshjen me Vllazninë, as analizën nuk kemi bërë. Ishte një ditë shumë e keq, pësuam gola të shpejtë. Na erdhi keq, pasi e kishim analizuar mirë ndeshjen dhe kishim punuar gjatë javës për të”.
“Ekip pa mbrojtje? Në momentin që ndodhesh në këtë pozicion dhe pëson shumë gola, mbrojtjes mund t’i vësh faj. Mendoj se do të përmirësohemi me punë në atë pjesë. Kemi treguar në disa ndeshje që mundemi të bëjmë diçka më shumë. Mund të them se ndikon mungesa e eksperiencës, kalendari i ngjeshur, mungesat, të gjithë kanë ndikuar nga pak. Me Bylisin është finale dhe duhet të fitojmë.
Gjithsesi ka edhe shumë ndeshje, ende nuk ka mbaruar as faza e dytë. Do japim maksimumin kundër Bylisit që të marrim tre pikët. Të gjithë japin atë që kanë, nuk mund të them se ka nga ata që nuk japi maksimumin. Normalisht merkato do e ndihmonte ekipin. Flas për lojtarë me përvojë. E them me besim se do ia dalim me Bylisin”, përfundon Qaqi. /abcnews.al