Pylli Orbital, “paja” e kryebashkiakut për gjeneratën tjetër

schedule14:38 - 19 Nëntor, 2017

schedule 14:38 - 19 Nëntor, 2017

Kryebashkiaku Erjon Veliaj ishte pranë Liqenit të Farkës ku vazhdon mbjellja e pemëve në kuadër të projektit të Pyllit Orbital. Ai tha se gjenarata tjetër do të ketë një qytet më të mirë e të shëndetshëm. Sfida e bashkisë për këtë vit është që të çojë në 100 mijë numrin e pemëve të mbjella, dyfishin e një viti më parë.

Pajën e nuses, si bazë e mirë për fillimin e jetës martesore e njohin të gjithë, mezi presin shpalosjen e saj.
Kryebashkiaku Veliaj thotë se një e tillë për Tiranën po krijohet, natyrisht në mënyrë figurative kjo.
Me këtë entuziazëm ai ishte pranë Liqenit të Farkës ku 100 pemë të reja ju shtuan parkut që po kthehet në një nga destinacionet më të frekuentuara të qytetarëve të Tiranës, në kuadër të projektit për Pyllin Orbital.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me miqtë edhe mikeshat nga qendrat sociale. Më vjen mirë që pavarësisht se shumica e atyre që shkojnë në qendrat tona sociale janë në moshë të thyer, ndihen të rinj në shpirt. Besoj se paja më e mirë që i lëmë qytetit, pavarësisht nga mosha jonë, është një qytet më i gjelbër, me më shumë pemë, me më shumë oksigjen. Dua të falenderoj shumë të moshuarit që na japin ne të rinjve shembuj se si jetohet jeta me vepra dhe jo me fjalë. Më vjen mirë që ky kontribut shkon për të pasuruar parkun e Farkës, ku çdo herë që kthehemi me 100-150 fidanë, kemi arritur ta shndërrojmë në parkun e dytë të Tiranës, për të thënë që sot Tirana ka dy parqe të kompletuara”, theksoi Veliaj.

Veliaj tha se përfitues të këtij zhvillimi janë dhe banorët e zonës nëpërmjet rritjes së vlerës së pronës.
“Falë APR-së, në Farkë po zhvillohen edhe aktivitete sportive, të cilat kanë bërë që për gjithë banorët e kësaj zone, që është pjesë tani e Tiranës së madhe, të shtohet edhe vlera e pronës sepse thonë se e kemi shtëpinë te liqeni i Farkës, jo ai i Tiranës”, shtoi Veliaj.

“Dua që t’i ftoj të gjitha, shoqatat, organizatat, kompanitë, bizneset, sipërmarrjet, kush ka mundësi, kush ka takat, një pemë, 100 pemë, 1000 pemë, çdo dhuratë vlen dhe ne jemi njësoj mirënjohës pavarësisht se dikush na fal 1 apo 1000 pemë”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës kërkon që të dyfishojë numrin e pemëve të mbjella këtë vit. Deri më, tani në liqenin e Farkës janë mbjellë 3200 fidanë të drurëve dekorativë, si dhe 2000 rrënjë fidanë ulliri e pyjorë në territore publike./abcnews.al

 

https://youtu.be/3GiD6TK1qmQ