Pyeten dy të arrestuarit e kokainës, mohojnë përfshirjen në trafik

schedule11:59 - 1 Mars, 2018

schedule 11:59 - 1 Mars, 2018

Mohojnë përfshirjen në narkotrafik dy të rinjtë e arrestuar pas sekuestrimit te 613 kg kokaine ne nje kamion të ngarkuar me banane. 25 vjeçaret Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku deklaruan për grupin hetimor se nuk kishin dijeni se në kamionin që do shkarkonin kishte 180 milionë euro kokainë.

Një ditë pas sekuestrimit të 613 kilogramëve kokainë, dy të arrestuarit Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku kanë mohuar çdo lidhje të tyre të mundshme me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Dy 25 vjeçarët, përkatësisht njëri punonjës pranë kompanisë “Arbri Garden” dhe tjetri  shofer, kanë mohuar çdo përfshirje në trafikimin e 180 milionë eurove kokainë. Para grupit hetitmor, Donaldo Lushaj ka pohuar se ishte i punësuar nga kompania prej disa kohësh. Ndërkohë ABC Neës ka mësuar ekzistenca e 613 kilogramshi të kokainës së pastër është provuar në skanerin e portit.

Pas pikasjes së lëndës së jashtëligjshme në skaner, agjentët e hetimit doganor kanë shpuar me trapan dyshemenë e kontenierit duke faktuar kështu praninë e drogës. Pas këtij momenti kamioni është mbajtur nën vëzhgim deri në pritjen e personave që do kryenin zhdoganimin.

ABC News saktësoi edhe praninë e një automjeti “Volsvagen” që ka shoqëruar trailerin nga porti i Durrësit deri në magazinat e “Arbri Garden” në Maminas. Sipas burimeve pranë Krimeve të Rënda, qëllimi i mjetit shpoqërues ka qenë transportimi i disa arkave me banane, të cilat nuk mund të sistemoheshin në kontenierin pas kontrollit të bërë nga policia e portit.

Në lidhje me hetimin e trafikantëve që mundësuan ardhjen në Shqipëri të ngarkesës së kokainës mesditën e së enjtes u zhvillua një takim kordinues tek Krimet e Rënda ku ishte i pranishëm edhe kreu i policisë së shtetit Ardi Veliu. Në ambientet e krimeve të rënda u vu re edhe prania e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Eduart Merkaj.

Grupi hetimor i kësaj dosjeje ka qenë deri më tani hermatik në dhënien e detajeve në lidhje me hetimet që po kryhen dhe personat e tjerë nën hetim, përveç Arbër Çekjes, biznesmenit të shpallur në kërkim. Çekja mësohet se është larguar nga vendi rreth tri javë më parë, ndërkohë që rezultojnë se ai udhëtimet drejt Kolumbisë i ka patur mjaft të shpeshta gjatë viteve të fundit, plot 97 të tilla. Ende nuk dihet qartësisht roli i tij këtë rast të paprecedent trafiku kokaine për Shqipërinë, por hetimet vijojnë. Grupi hetimor beson se nuk është vetëm Çekja pas kësaj sasie kokaine që përllogaritet në 180 milionë euro në blerje, por që në vlerë tregu mund të tre-katërfishohej si vlerë.   /abcnews.al