LIVE/ Putini rikthen luftën e madhe në Europë, ukrainasit mbahen heroikisht

schedule20:00 - 24 Shkurt, 2022

schedule 20:00 - 24 Shkurt, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Fillimisht objektivat në Ukrainë u qëlluan me raketa dhe sulme ajrore dhe më pas në disa drejtime filloi futja e tankeve. Autoritetet ukrainase raportuan se ata janë sulmuar edhe nga territori i Bjellorusisë. Deri më tani Rusia është shprehur se kanë goditur vetëm objektiva ushtarakë, ndërsa një video e publikuar në media nga qyteti Kharkiv tregon se të paktën një raketë ka qenë mbi zonë të banuar duke shkaktuar edhe të vdekur.

SHBA, NATO dhe BE kanë dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës duke e cilësuar atë aggresion. Më poshtë gjeni raportimin LIVE të abcnews.al për luftën në Ukrainë:

22:27- I dha goditjen e fortë Putin, Biden “merr masa”, mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Pak pasi shpalli sanksionet e forta kundër Rusisë, presidenti i SHBA Joe Biden ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për të diskutuar për Ukrainën. Lajmin e dha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, duke akuzuar udhëheqësin rus Vladimir Putin se “e zgjodhi këtë luftë” dhe se vendi i tij do të mbartë pasojat e veprimeve të tij.

22:04-Kryeministri kanadez shpall sanksione të reja: Putin i pacipë, kërcënim për mbarë botën

Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjatë një konference për shtyp dënoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe njoftoi një grup të ri sanksionesh. “Kanadaja është e qartë për të dënuar sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj shtetit sovran dhe demokratik të Ukrainës”, tha ai. “Shpërfillja e pacipë e Putin për ligjin ndërkombëtar, demokracinë dhe jetën njerëzore është një kërcënim masiv për sigurinë dhe paqen në mbarë botën.”  Trudeau tha se Kanadaja po vendos “sanksione të ashpra” që synojnë 58 individë dhe subjekte, duke përfshirë anëtarët e elitës ruse dhe anëtarët e familjeve të tyre.

20:59- Shi raketash në Ukrainë, çfarë ndodhi në frontin e luftës

Dita e sotme, 24 shkurt 2022 shënoi fillimin e luftës Rusi-Ukrainë, një aludim që shumë e flisnin por askush nuk donte ta besonte.
Cilat kanë qenë ngjarjet kryesore të ditës? Reuters ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve kryesore rreth sulmeve ruse në Ukrainë. Forcat ukrainase luftuan me pushtuesit rusë në tre anët ditën e sotme pasi Moska ndërmori një ofensivë ushtarake nga toka, deti dhe ajri në sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

20:51-Hakmerret SHBA, dëbon numrin 2 të ambasadës ruse në Uashington

SHBA dëbon diplomatin nr. 2 në ambasadën ruse në Uashington. BBC raporton se lajmi konfirmohet nga një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe kjo vjen si përgjigje ndaj Rusisë e cila dëboi diplomatin e rangut të dytë amerikan në Moskë në fillim të këtij viti.SHBA-ja e ndërmori këtë veprim si një përgjigje e drejtpërdrejtë për zyrtarët të cilët nuk kanë bërë asgjë për të zgjidhur krizën mes Rusisë dhe Ukrainës.

20:497 000 trupa amerikane shtesë nisen drejt Europës

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka vendosur pak më parë që të dërgojë edhe 7 000 trupa të tjera në Europë pas sulmit rus ndaj Ukrainës. Gazetari Steve Herman, shef i redaksisë së lajmeve ndërkombëtare në VOA shkruan se vendimi është marrë nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austrin pas përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në kontinentin e vjetër.

20:48SHBA vendos sanksione ndaj 24 individëve dhe subjekteve bjelloruse

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi në një konferencë për shtyp një seri sanksionesh që do të shkaktonin ndikime afatgjata për Rusinë. Shtëpia e Bardhëka konfirmuar se Thesari i SHBA ka vendosur sanksione ndaj 24 individëve dhe subjekteve bjelloruse. Në listë janë të përfshirë të gjithë ata që kanë mbështetur pushtimin rus të Ukrainës. Më herët edhe kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se do të shtrijë masat e tij edhe në Bjellorusi, një aleat i ngushtë i Rusisë.

19:48Lufta në Ukrainë, SHBA i “pret krahët” Putin. Biden: Do paguajë çmim të lartë, sanksionet janë goditëse

Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se sanksionet e forta do t’i “presin krahët” Vladimir Putin për të financuar dhe rritur ushtrinë e tij që po lufton Ukrainën. Në një konferencë për shtyp, Biden tha se Putin do mbajë përgjegjësinë e plotë për sulmin ndaj Ukrainës kësisoj shtoi për shkak të tij, Rusia do të përballet me pasojat. Pavarësisht sanksioneve Biden deklaroi se forcat amerikane nuk do të luftojnë në Ukrainë.

Sanksionet e SHBA ndaj Rusisë: Do të kufizojmë aftësinë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund dhe jen për të qenë pjesë e ekonomisë globale; Do të ndalojmë aftësinë për të financuar dhe rritur ushtrinë ruse; Do të dëmtojmë aftësinë e tyre për të konkurruar në ekonominë e shekullit të 21-të të teknologjisë së lartë; SHBA sanksionon bankat ruse që së bashku mbajnë rreth 1 trilion dollarë aktive.

18:47“Jo luftë”, shqiptarët solidarizohen me Ukrainën, protestë para Ambasadës Ruse në Tiranë

Para Ambasadës Ruse në Tiranë është duke u zhvilluar një protestë paqësore nga qytetarët shqiptarë. Ata janë mbledhur për të protestuar në shenjë solidarizimi ndaj popullit ukrainas, i cili është pushtuar mëngjesin e sotëm nga trupat ruse. Me pankarta në duar kanë bërë thirrje për ndalimin e luftës. Gjithashtu po në shenjë solidarizimi kanë ndezur qirinj.

19:22- Rusët marrin Çernobilin. “Bota përballë katastrofës” 

Ushtria ruse ka marrë sëfundmi kontrollin mbi centralin e Çernobilit sipas zyrtarëve ukrainas. Këshilltari i presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak i tha mediave sipas Reuters se tashmë zona ekskluzive e Çernobilit ku ndodhi tragjedia e madhe në 1986 është nën kontrollin e rusëve. Më herët, Presidenti i Ukrainës Zelensky tha se bota do të përballej me rrezikun e një tjetër tragjedie nëse centrali i Çernobilit do të merrej nga rusët, raporton abcnews.al.

18-24 Shpërthejnë protesta në Moskë kundër luftës në Ukrainë

Një numër i madh qytetarësh në Moskë kanë dalë sot për të protestuar kundër luftës së nisur nga udhëheqësi i Rusisë Vladimir Putin në Ukrainë. Të paktën 705 persona janë arrestuar gjatë protestave që janë zhvilluar në 40 qytete ruse, raporton The Guardian.

17:10 – 14 avionë e helikopterë të rrëzuar dhe 24 tanke të shkatërruar, Ukraina i përgjigjet pushtimit rus

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka publikuar detaje nga përballja me forcat ruse në territorin ukrainas duke theksuar se janë duke ruajtur frontin. Sipas të dhënave zyrtare, që prej orëve të para të mëngjesit forcat ukrainase kanë rrëzuar shtatë avionë të ndryshë, shtatë helikoterë, 24 tanke dhe 20 autoblinda.

Gjatë orëve të fundit në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare janë publikuar pamje të helikopterëve rus të rrëzuar pranë Kievit, ndërsa në disa rajone janë parë edhe tanke ruse të shkatërruar.

16-58Lufta në Ukrainë, shpërthim i madh në bazën ajrore Melitopol

CNN ka verifikuar pamjet që qarkullojnë në mediat sociale të një shpërthimi në bazën ajrore Melitopol në Ukrainën juglindore.

Videot filluan të qarkullojnë në mesditë dhe tregojnë një shtëllungë të madhe tymi pranë aeroportit, e ndjekur nga një zhurmë e fortë. Shkaku i shpërthimit është i paqartë.

16-42- Tragjedia mund të përsëritet, Presidenti ukrainas: Forcat ruse drejt kontrollit të centralit të Çernobilit

Lufta e Rusisë në Ukrainë po bëhet më agresive. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkruar në Twitter se forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e centralit bërthamor të Çernobilit, raporton CNN. Forcat pushtuese ruse po përpiqen të kapin në Chernobil Centralin Bërthamor. Mbrojtësit tanë po sakrifikojnë jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, shkroi Zelensky në Twitter.  Ministria e Jashtme e Ukrainës i bëri jehonë paralajmërimit të Zelensky, duke postuar në Twitter se një sulm rus në Ukrainë mund të “shkaktojë një tjetër fatkeqësi ekologjike”. “Në vitin 1986, bota pa fatkeqësinë më të madhe teknologjike në Çernobil”, shkroi ministria në Twitter. “Nëse Rusia vazhdon luftën, Çernobili mund të ndodhë sërish në vitin 2022”. Shpërthimi në centralin bërthamor të Çernobilit 36 vjet më parë konsiderohet si tragjedia më e madhe bërthamore në historinë e njerëzimit, jo vetëm për shkak të numrit të të vdekurve, por edhe pasojat e rënda që la më pas.

16:25- 7 të vdekur nga sulmi me raketa ruse pranë Kievit

Autoritetet ukrainase thonë se shtatë persona janë vrarë dhe 17 janë plagosur në një sulm me raketa në një zonë ushtarake në verilindje të kryeqytetit të Kievit. Kryetari i qytetit të Brovary, Ihor Sapozhko, tha se sulmi ndodhi në orën 14:30 me orën lokale, raporton BBC. Brovary ka një bazë të Forcave Speciale të Ukrainës. Ishte një prej sulmeve ruse afër Kievit që kanë ndodhur gjatë ditës së sotme.

16:12- CNN: Rusia rrethon Ukrainën nga tre anët

Teksa presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi sot në mëngjes operacionin e gjerë ushtarak në Ukrainë, me sulme ajrore kundër qyteteve pranë Kiveit, CNN raporton se Rusia ka rrethuar ushtarakisht Ukrainën në tre anë. Në Kiev janë dëgjuar sërish sirenat e alarmit, duke paralajmëruar për një sulm të mundshëm ajror, shkruan CNN

15-38-Helikopteri rus rrëzohet pranë Kievit

Një helikopter rus është rrëzuar pranë Kievit. Videon e rrëzimit e ka verifikuar BBC, megjithatë nuk dihet se kush është  burimi i videos. Ndërsa komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjeneral Valerii Zaluzhnyi ka konfirmuar se ushtria po lufton forcat ruse për kontrollin e aeroportit në rajonin e Kievit, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

15:12- Polonia përgatit 120 spitale për ukrainasit e plagosur nga sulmet ruse

Polonia po përgatit një tren për të transportuar ukrainasit e plagosur nga sulmet ruse, ka thënë ministria e Shëndetësisë së vendit për Reuters.

“Polonia po përgatitet të pranojë emigrantë nga Ukraina , përfshirë qytetarët ukrainas të prekur nga konflikti i armatosur.Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që çdo person që hyn në territorin e Polonisë të ketë akses në kujdesin shëndetësor, përfshirë shtrimin në spital. Në spitale po përgatiten shtretër për pranimin e të plagosurve”, thamë autoritete zyrtare.

Ministri i Shëndetësisë i Polonisë, Adam Niedzielski,  deklaroi se Polonia ka  përgatitur një listë me 120 spitale ku mund të trajtoheshin personat e prekur nga konflikti në Ukrainë.

“Në total, ne vlerësojmë për momentin se do të ishte e mundur të pranoheshin disa mijëra pacientë të lënduar si rezultat i armiqësive, përfshirë ata të plagosur rëndë”, tha ai për mediat lokale.

14:39-Fqinjët e Ukrainës po përgatiten për fluksin e refugjatëve

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka deklaruar se situata në Ukrainë po përkeqësohet me ritme të shpejta dhe u bëri thirrje vendeve fqinje që të mbajnë të hapur kufijtë për ukrainasit që kërkojnë një strehë të sigurt, shkruan BBC

Disa vende europiane në kufi me Ukrainën po përgatiten tashmë për mbërritjen e refugjatëve që po i largohen pushtimit rus. Polonia po ndërtojnë strehë të përkohshme dhe spitalet po përgatisin shtretër për ukrainasit e plagosur, sipas një deklaratë të ministrisë së shëndetësisë të vendit.

Hungaria dhe Sllovakia kanë shprehur gatishmërinë të mirëpresin refugjatët dhe po dërgojnë trupa shtesë për të menaxhuar fluksin  në kufijtë e tyre me Ukrainën. Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, tha: “Tregoni dhembshuri dhe mirëkuptim për të gjithë emigrantët.” Gjermania ka ofruar gjithashtu ndihmë humanitare për vendet në kufi me Ukrainën.

13:43 -Lufta në Ukrainë, reagon Erdogan, kë mbështet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, hodhi poshtë veprimin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, duke e quajtur atë “të papranueshëm” në një fjalim televiziv të enjten.

“Ky hap, të cilin ne e shohim si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, është një goditje për stabilitetin dhe paqen rajonale”, tha Erdogan.

Erdogan tha se foli më herët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ai përsëriti mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

“Na vjen sinqerisht keq që Rusia dhe Ukraina, të cilat i shohim të dyja si vende mike dhe që kemi marrëdhënie të ngushta politike dhe sociale, janë përballur në këtë mënyrë”, shtoi ai.

“Ne do të bëjmë pjesën tonë për të garantuar sigurinë e të gjithëve që jetojnë në Ukrainë, veçanërisht qytetarëve tanë dhe vëllezërve në rajon”, shtoi ai.

Erdogan foli me Vladimir Putin në një telefonatë të mërkurën, ku ai shprehu kundërshtimin e tij ndaj hapave të presidentit rus kundër sovranitetit të Ukrainës.

13:39- Sulmi ndaj Ukrainës, Johnson: Frika jonë më e madhe është bërë realitet

Pas një bisedë telefonike me presidentin Zelensky të Ukrainës, Johnson dha një deklaratë  për mediat në lidhje me situatën në Ukrainë. Sipas tij, frika më e madhe është bërë realitet dhe të gjitha paralajmërimet për një pushtim rus kanë rezultuar fatkeqësisht të vërteta.

“Putin  ka nisur luftën në Europë, duke sulmuar një vend mik pa asnjë provokim apo justifikim të vlefshëm. Sulmet ruse kanë prekur popullatën e pafajshme. Ukraina është vendi i dytë më i madh në Europë që për dekada ka gëzuar lirinë dhe demokracinë.

“Ne nuk mund të lejojmë që ajo liri të shuhet,” tha Johnson.

Britania e Madhe ishte një nga vendet e para në Europë që dërgoi mjete ushtarake për të ndihmuar Ukrainën.

“Sot, në bashkëpunim me aleatët tanë, ne do të njoftojmë një paketë masive sanksionesh për të goditur ekonominë ruse,”  Europa gjithashtu nuk duhet të jetë më e varur nga nafta dhe gazi rus, pasi diçka e tillë i ka dhënë Putinit kontrollin në kontinent, tha kryeministri britanik.

Sipas Johnson, ky  është një sulm ndaj demokracisë dhe lirisë në Europën Lindore dhe në mbarë botën, vazhdon ai. Ai tha gjithashtu se kjo krizë ka të bëjë me të drejtën e një vendi për të zgjedhur të ardhmen e tij dhe kjo është një e drejtë që Mbretëria e Bashkuar do ta mbrojë gjithmonë.

13:30 – Ekonomia i përgjigjet Putinit: Ndodh goditja më e madhe historike

Sulmi dhe lufta ndaj Ukrainës i ka shkaktuar Rusisë rënien më të madhe të aksioneve në histori. Në Londër, aksionet ruse kanë rënë deri në 70 %, derisa një prej tregtarëve më të mëdhenj rus ka paralajmëruar se “rusët duhet të përgatiten për t’u kthyer vite mbrapa”, shkruan Die Presse, transmeton Gazeta Express.

Sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, përveç një vale shokuese që ka shkaktuar në tregjet e botës, ka shkaktuar edhe një katastrofë për vetë Rusinë, në tregun valutor.

Rubla ruse ka rënë gati 10 % vetëm në mëngjes, duke arritur kështu nivelin më të ulët të të gjitha kohërave kundrejt dollarit dhe euros. Kjo ka bërë që banka qendrore ruse të reagojë dhe të njoftojë se do të fillojë mbështetjen e tregut, gjë që s’kishte ndodhur qysh nga viti 2014.

Ndërkohë pasi ishin pezulluar kalkulimet e bursës ruse, procesi ka rifilluar sot dhe është parë që stoqet ruse janë në rënie të lirë deri në 45%, duke shkaktuar humbje 75 miliardë dollarë.

Kjo është rënia më e madhe në historinë e Rusisë – rekordi i mëparshëm negativ u vendos më 28 nëntor 1997 me një minus njëditor prej 20.8 për qind. Tregtari kryesor rus i Metals Investment Bank në një deklaratë për BBC ka thënë se nuk e kanë pritur një zhvillim të tillë gjeopolitik, derisa ka paralajmëruar rusët që të përgatiten për t’u kthyer vite pas në secilin aspekt.

12:40 – VIDEO/ Luftë në Europë, pramje dramatike pranë Kievit: Dhjetra helikopterë “nxijnë” qiellin
12:01 – BBC: Tanket ruse pranë Khrakivit

Ukraina ka raportuar për sulme dhe shpërthime me raketa pranë qyteteve më të mëdha në vend,  ndërsa forcat ruse nisin një sulm të madh ushtarak, shkruan BBC

Gjithashtu sipas raporteve të një zyrtari ukrainas, tanket ruse kanë hyrë tashmë në Kharkhiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

Presidenti rus, Putin njoftoi nisjen e një operacioni ushtarak në Ukrainë duke e bërë të ditur në një fjalim televiziv. Menjëherë pas kësaj pati raportime për sulmet e para dhe shpërthime në disa rajone të Ukrainës.

11:40 – Vriten 50 ushtarë rusë dhe rrëzohen 7 avionë, sipas autoriteteve ukrainase

Sipas këshilltarit të presidentit ukrainas Zelensky, janë vrarë rreth 50 trupa ushtarakë rusë në Ukrainën Lindore ndërsa ushtria po rimerr kontrollin e qytetit Shchastya, shkruan The Guardian

Pas telefonatave me disa lider botërorë, duke përfshirë presidentin e SHBA-së Joe Biden, udhëheqësi i Ukrainës Voldymyr Zelensky bëri thirrje për një mbledhje me zyrtarët e lartë.

Këshilltari i presidentiti Mykhailo Podoliak tha se forcat e Ukrainës po luftonin me të gjithë forcën duke larguar trupat ushtarakë rusë në disa zona të vendit.  Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia po synonte kryesisht infrastrukturën ushtarake dhe aeroportet.

Këto përfshihet aeroport Boryspil në Kiev, sipas një deklarate të forcave të armatosura.

11:10 – Pamje dramatike nga Ukraina, civilë të vrarë, radhë të gjata makinash, shpërthime dhe kaos

Ndërkohë që ushtria ruse ka nisur tashmë pushtimin e Ukrainës duke bombarduar fillimisht në orët e para të mëngjesit, vendi ka shpallur ligjin ushtarak, kurse qytetarët po kërkojnë të largohen prej  luftës.

Pamjet e nga Kievi të publikuara nga mediat botërore janë dramatike, me radhë të gjata makinash që duan të largohen nga kryeqyteti, ndërkohë raportohet se rusët kanë bombarduar edhe objektiva civilë, siç ishte një kompleks apartamentesh në Kharkiv.

 

Çfarë kërkon Putin nga Ukraina?

Rusia  kërkon garanci nga Perëndimi dhe Ukraina se nuk do të bashkohet me NATO-n, një aleancë mbrojtëse e 30 vendeve.

Si një ish-republikë sovjetike, Ukraina ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë, dhe rusishtja flitet gjerësisht atje, por që kur Rusia pushtoi në 2014, këto marrëdhënie janë prishur.

Rusia sulmoi Ukrainën kur presidenti i saj pro-rus u rrëzua në fillim të vitit 2014. Lufta në lindje ka shkaktuar më shumë se 14 mijë viktima. Në teori, forcat ruse mund të synojnë të vendosen në lindje, në veri dhe jug të Ukrainës dhe të përpiqen të largojnë qeverinë e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ata mund të mobilizojnë trupa në Krime, Bjellorusi dhe rreth kufijve lindorë të Ukrainës.

10:52: Ukraina ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Rusinë

Ukraina ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Rusinë pas sulmeve në  territorin ukrainas, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një konferencë për shtyp, shkruan BBC

Presidenti tha gjithashtu se do të përgjigjet ushtarakisht ndaj çdo sulmi, sipas mediave shtetërore. Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi sot nisjen e një operacioni special ushtarak në Donbas, në lindje të Ukrainës.

Ai iu drejtua kombit në kanalin televiziv në orët e para të mëngjesit, duke rikujtuar se të ashtuquajturat qeveri separatiste në Ukrainën lindore kanë kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia.

10:31 Ukraina pezullon të gjitha fluturimet

Ukraina  ka mbyllur në orët e para  të mëngjesit të sotëm hapësirën ajrore për fluturime civile, duke cituar rrezikun e lartë ndaj sigurisë, ndërsa rregullatori europian i aviacionit gjithashtu paralajmëroi për rrezik për fluturimet në zonat kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë për shkak të aktiviteteve ushtarake, shkruan BBC

Në uebfaqen e tij, autoriteti shtetëror ukrainas i trafikut ajror tha se hapësira ajrore e vendit është mbyllur për fluturime civile duke filluar nga ora 00:45 të enjten dhe se shërbimet e trafikut ajror janë pezulluar.

Rikujtojmë se Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi nisjen e një operacion special ushtarak në Donbas, në lindje të Ukrainës. Ai iu drejtua kombit në kanalin televiziv në orët e para të mëngjesit, duke rikujtuar se të ashtuquajturat qeveri separatiste në Ukrainën lindore kanë kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia.

10:01 – Pushtimi i Ukrainës, sa e madhe është ushtria ruse dhe ku po hyjnë trupat?

Vladimir Putin ka urdhëruar futjen e trupave ruse në Ukrainën lindore, pasi ka njohur dy rajone të kontrolluara nga rebelët si shtete të pavarura.

Njësitë ushtarake që shkojnë në Ukrainë përllogariten 100 mijë nga deri në 190,000 personel të mbledhur pranë kufijve të Ukrainës muajt e fundit.

Ata janë të pajisur me gjithçka, nga tanket dhe artileria deri te fuqia ajrore dhe mbështetja detare.

Hedhës të shumëfishtë raketash gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake Aleate Resolve 2022 nga trupat bjelloruse dhe ruse
Hedhës raketash në stërvitje të përbashkëta ushtarake në Bjellorusi

Çfarë po ndodh në Ukrainën Lindore?

Të hënën, Putin vendosi të njohë dy rajonet e mbështetura nga Rusia në Ukrainën Lindore, Republikën e vetëquajtur Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut, si shtete të pavarura.

Pak më vonë, ai urdhëroi trupat në të dy rajonet për të “ruajtur paqen”.

Fotot  shfaqnin automjete ushtarake ruse që drejtoheshin drejt kufirit ukrainas.

Harta e Ukrainës Lindore. Përditësuar më 22 shkurt.

Shtetet e Bashkuara thanë se ishte “marrëzi” të përshkruanin trupat ruse në Ukrainë si “paqeruajtëse”.

Presidenti i Ukrainës tha se vendi i tij “nuk kishte frikë nga asgjë dhe askush”.

Numrat e trupave

Numri i vlerësuar i trupave ruse të dislokuara në Ukrainë dhe rreth saj ka shkuar nga 100,000 në 190,000 në javët e fundit.

Të premten, qeveria amerikane tha se Rusia kishte ndërmjet 169,000 dhe 190,000 personel në dhe rreth Ukrainës.

Një deklaratë e ambasadorit të SHBA në Organizatën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE), Michael Carpenter tha: “Ky vlerësim përfshin trupat ushtarake përgjatë kufirit, në Bjellorusi dhe në Krimenë e pushtuar; Garda Kombëtare Ruse dhe njësi të tjera të sigurisë së brendshme të dislokuara. në këto zona; dhe forcat e udhëhequra nga Rusia në Ukrainën lindore.”

Më herët, sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace tha se 60% e forcave tokësore ruse ndodheshin pranë kufijve të Ukrainës me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka sugjeruar një shifër prej 149,000 ushtarë.

Javën e kaluar, zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitri Polanski tha: “E gjithë kjo po ndodh në kokat e kolegëve tanë perëndimorë”.

Harta që tregon se ku janë vendosur trupat ruse. Përditësuar më 23 SHKURT.

Javën e kaluar, ministria ruse e mbrojtjes tha se disa trupa nga rrethet ushtarake jugore dhe perëndimore kishin përfunduar stërvitjet e tyre dhe po ktheheshin në bazat e tyre të përhershme.

Por NATO tha se nuk kishte parë prova të ndonjë de-përshkallëzimi në terren.

Sekretari i përgjithshëm i saj Jens Stoltenberg tha: “Përkundrazi, duket se Rusia vazhdon ngritjen ushtarake”.

08:59 – VIDEO/ Pallate të shkatërruara dhe njerëz të vdekur rrugëve, pamjet e dhimbshme pas sulmit rus ndaj Ukrainës

Kanë filluar të dalin imazhet e dëmeve reale që ka shkaktuar sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Agjencia “Anadolu” ka publikuar foton e një personi të vdekur fill pas sulmit rus në qytetin verior të Kharkivit, një  ndër objektivat e parë të ushtrisë ruse, raporton abcnews.al.

Agjencia raporton se viktima është një i ri, ndërsa mbi kokë i qendron babai i tij duke qarë. Më herët në media janë pubvlikuar edhe foto të tjera të ukrainasve të dëmtuar nga sulmi rus, ndërsa deri më tani raportohen sulme ndaj objektivave ushtarakë në disa qytete.

Platforma e njohur “Bellingcat” raportoi më herët se ushtria ruse ka goditur edhe objektiva civilë pranë aeroportit të Kharkivit.

07:39 – Sulmi rus, nis largimi i banorëve nga Kievi

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi operacionin ushtarak në Ukrainë në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës dhe minuta më vonë, sipas raporteve, u lëshuan granatimet dhe raketat e para në Ukrainë. Në kryeqytetin e Kievit, një sirenë emergjente është ndezur dhe fotografitë tregojnë një kolonë makinash që bllokon një autostradë ndërsa njerëzit largohen nga qyteti.

Dëshmitë e mediave sociale flasin për një ndjenjë paniku në rritje, me disa që thonë se ata po dërgohen me nxitim në strehimoret e bombave dhe në bodrume raporton “BBC”. Pamjet televizive kanë treguar njerëz duke u lutur në rrugë, të grumbulluar në grupe.

Gazetari i “The Guardian”, Luke Harding në Kievthotë në Twitter se ka pak njerëz në rrugë dhe njerëzit janë në radhë para bankomateve.

07:01 – Ushtria e Ukrainës: Kemi rrëzuar 5 avionë rusë dhe një helikopter

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka pretenduar se pesë avionë rusë dhe një helikopter u rrëzuan herët të enjten, ndërsa forcat ruse sulmuan Ukrainën.

Ushtria ruse i ka mohuar pretendimet, njoftoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Në një postim në Twitter të enjten në mëngjes, ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba u bëri thirrje “ukrainasve anembanë globit” të flasin dhe të kërkojnë veprim nga udhëheqësit e tyre.

Goditjet e para erdhën pak pas orës 5 të mëngjesit të së enjtes, duke i dhënë fund definitivisht çdo spekulimi se çfarë kishte ndërmend të bënte presidenti rus Vladimir Putin.

06:40 – Harta/ Pushtimi rus, ku janë raportuar shpërthimet në Ukrainë

Gazetarët e “CNN” dhe dëshmitarët në qytetet anembanë Ukrainës kanë raportuar se kanë dëgjuar shpërthime në orët e para të së enjtes.

Qytetet ku janë raportuar shpërthime në Ukrainë:

  • Kiev: Gazetarët e “CNN” në kryeqytetin e Ukrainës dëgjuan shpërthime nga lindja në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të qytetit. Përdoruesit e mediave sociale raportuan se kishin dëgjuar disa shpërthime në zonën Boryspil në lindje të kryeqytetit, ku aeroporti ndërkombëtar ndodhet rreth 25 kilometra. “CNN” nuk ka konfirmuar se aeroporti është shënjestruar.
  • Kharkiv: Një ekip i “CNN” në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, në verilindje të vendit dëgjuan një shpërthime të forta.
  • Kramatorsk: Dy persona në qytetin lindor, që ndodhet rreth 120 kilometra në veri të Donetskut të kontrolluar nga separatistët, i thanë “CNN” se dëgjuan të paktën dy shpërthime masive.
  • Dnipro: Një banor i qytetit qendror i tha “CNN” se kishin dëgjuar “disa shpërthime”.
  • Mariupol: Dy banorë i thanë “CNN” se dëgjuan shpërthime në lindje të qytetit, i cili ndodhet në juglindje të vendit.
  • Odessa: Një ekip i “CNN” në qytetin port të Detit të Zi dëgjoi dy grupe shpërthimesh me një distancë prej rreth 20 minutash.
  • Zaporizhzhia: Një ekip i “CNN” në qytetin juglindor tha se dëgjuan të paktën një shpërthim shumë të largët.

Për më tepër, një ekip i “CNN” në qytetin rus të Belgorodit, rreth 80 kilometra  në veri të Kharkiv, tha se ata dëgjuan një rrymë të rregullt zhurmash që dukeshin si zjarr artilerie në dalje.

06:20 –  Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës: Trupat ruse po pësojnë humbje

KIEV – Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka pretenduar se pesë avionë rusë dhe një helikopter u rrëzuan herët të enjten, ndërsa forcat ruse sulmuan Ukrainën.

Ushtria ruse i ka mohuar pretendimet, njoftoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Në një postim në Twitter të enjten në mëngjes, ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba u bëri thirrje “ukrainasve anembanë globit” të flasin dhe të kërkojnë veprim nga udhëheqësit e tyre.

Goditjet e para erdhën pak pas orës 5 të mëngjesit të së enjtes, duke i dhënë fund definitivisht çdo spekulimi se çfarë kishte ndërmend të bënte presidenti rus Vladimir Putin

06:01 – Rusia nis sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putini”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, tha Kuleba.

 

Presidenti rus konfirmoi se ka nisur një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera.

Sipas raporteve nga agjencitë perëndimore të lajmeve, qytete të shumta janë nën sulm. CNN raportoi për shpërthime në së paku shtatë qytete.

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar mediat lokale.

Nuk është ende e qartë nëse forcat tokësore janë të përfshira në ndonjë aksion.

05:30 – Sulmi rus, Ukraina shpall ligjin ushtarak

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpall ligjin ushtarak dhe u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë në një fjalim të shkurtër video të enjten në mëngjes raporton “CNN”.

Deklarata e plotë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky:

“Të dashur qytetarë ukrainas, sot në mëngjes Presidenti Putin njoftoi një operacion special ushtarak në Donbas. Rusia kreu sulme në infrastrukturën tonë ushtarake dhe rojet tona kufitare. Në shumë qytete të Ukrainës u dëgjuan shpërthime. Ne po vendosim gjendjen ushtarake në të gjithë territorin e vendit tonë. Një minutë më parë pata një bisedë me Presidentin Biden. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë filluar të bashkojnë mbështetjen ndërkombëtare. Sot secili prej jush duhet të ruajë qetësinë. Qëndroni në shtëpi nëse mundeni. Ne jemi duke punuar. Ushtria po punon. I gjithë sektori i mbrojtjes dhe sigurisë është duke funksionuar”.

04:53 –Bombardohet Kievi

Gazetari i “BBC-së”, Paul Adams sapo ka raportuar se ka dëgjuar pesë deri në gjashtë “shpërthime të largëta” në kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe thotë se ka raporte për shpërthime diku tjetër në vend. Mediat lokale raportojnë se të shtëna me armë janë dëgjuar të enjten pranë aeroportit kryesor të Boryspil në Kiev.

04:39 Putini shpall luftë në Europë

Presidenti rus Vladimir Putin sapo ka njoftuar një “operacion ushtarak” në rajonin e Donbasit të Ukrainës. Ai e bëri deklaratën në një fjalim televiziv në të njëjtën kohë kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së i kërkonte të ndalonte. Në një fjalim televiziv të enjten në mëngjes, Putin u kërkoi ushtarëve ukrainas në zonën e luftimit në Ukrainën lindore që të lënë armët dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ai paralajmëroi Ukrainën se do të fajësohej për çdo gjakderdhje. Putin tha se “drejtësia dhe e vërteta” janë në anën ruse, duke paralajmëruar se përgjigja e Moskës do të jetë “e menjëhershme” nëse dikush përpiqet të përballet me Rusinë raporton “BBC”. Presidenti rus tha gjithashtu se veprimet e vendit të tij janë vetëmbrojtje dhe u thotë ushtrisë ukrainase se baballarët dhe gjyshërit e tyre nuk luftuan që të mund të ndihmonin neonazistët.

Putin shton se përplasjet midis forcave ukrainase dhe ruse janë “të pashmangshme” dhe “vetëm çështje kohe”. Vetëm disa minuta më parë, nënsekretari i OKB-së kishte paralajmëruar se një përshkallëzim ushtarak do të çonte në “një kosto të papranueshme të lartë, vuajtje njerëzore dhe shkatërrim”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!