Presidenti rus Vladimir Putin ka vizituar këtë të mërkurë Krimenë, një vizitë kjo që është interpretuar si një mesazh i qartë për Perëndimin, se gadishulli i përket Rusisë.
Pak ditë nga zgjedhjet, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar këtë të mërkurë Krimenë. Aneksimi i gadishullit nga Ukraina në vitin 2014 shkaktoi reagimin e ndërkombëtarëve dhe vendosjen e sanksioneve, por shumë rusë e panë lëvizjen si një rivendosje të ligjit të Moskës në një rajon që historikisht ka qenë rus.
Përpara një turme që bërtiste në mbështetje të tij në qytetin Sevastopol, Putin tha se 4 vjet më parë populli i Krimesë mori vendimin historik për t’u bërë pjesë e Rusisë.
“Me vendimin tuaj ju bëtë një drejtësi historike, për atë shkelje që ishte bërë gjatë epokës sovietike, kur Krimea ishte shkëputur nga Rusia”, tha Putin.
Ai tha se ka ende shumë punë për të bërë për të rritur standardet e jetesës në Krime, por shtoi se, së bashku mund të zgjidhim edhe problemet më të vështira. Qeveria ukrainase dhe shtetet e Perëndimit e refuzojnë pretendimin e Moskës se qytetarët e Krimesë zgjodhën të bashkoheshin me Rusinë, duke deklaruar se gadishulli u pushtua nga forcat e armatosura ruse në shkelje të plotë të ligjit ndërkombëtar.
Më herët gjatë së mërkurës, Putin inspektoi punimet e urës që do të lidhë Rusinë me Krimenë. Bëhet fjalë për një urë të gjatë 19 km, e pajisur me rrugë dhe hekurudhë, të cilën qytetarët e kanë pagëzuar si “Ura Putin”, e cila synon të lidhë Krimenë me Rusinë./abcnews.al