Putin viziton Beogradin

schedule13:17 - 16 Janar, 2019

schedule 13:17 - 16 Janar, 2019

Masa të jashtëzakonshme sigurie në Serbi në pritje të vizitës së Presidentit rus Putin në Beograd të enjten. Vuçiç do të nderohet nga homologu i tij me çmimin e madh të federatës ruse.

Por për të Putin do të sjellë nga Moska në kryeqytetin serb urdhrin e veçantë të të shenjtit të kishës ortodokse ruse Aleksandër Neveski. Vuçiç është serbi i parë i nderuar që prej 100 vitesh me çmimin e madh të Federatës Ruse. Shteti i tij nuk ka mbajtur qëndrime negative kundër Kremlinit përkundër rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe sanksioneve. Presidenti serb madje shpesh befason me rusisht.

Rusia për Serbinë ka qenë aleate në politikë e sidomos në luftën kundër Kosovës. Beogradi nuk dëshiron në NATO, por është për integrim me Brukselin. Profesori Dejan Miletiç, thotë se Serbia dhe Rusia kanë marrëdhënie të mira, por pa investime nuk mund të konfirmohet një gjë e tillë. Por, sipas tij, Serbia ka qëndrim të qartë për integrim pasi shkëmbimi tregtar 70 për qind bëhet me BE-në.

Dejan Miletic, analist: Nuk shihet një motiv i madh i Rusisë të ndihmojë. Natyrisht do të kërkojë të jetë pjesë e ngjarjeve në rajon pasi tenton të kthejë ndikim sa është reale. Derisa një shtet nuk investon shumë me kapital atëherë nuk mund të thuhet se ndikimi është i madh.

Rusia ka në pronesi industrinë e naftës në Serbi. Kjo konsiderohej çmimi për mbështetje politike. Natyrishëm serbët dhe rusët ndajnë simpati për shkak të ngjasive kulturore. Por, Evropa është më afër. Igor Novakoviç, nga Qendra për Punë ndërkombëtare dhe të sigurisë në Beograd, thotë se Bashkimi Evropian ende është në lojë pasi është oferta e vetme gjithpërfshirëse për tërë Ballkanin.

Igor Novakoviç, organizata ISAC: Hapësira që Rusia e quan e jashtmja  e afërt përdoret nga Moska si poligon për garë me Perëndimin. Rusët kanë qëllim që të pengojnë integrimin e disa prej këtyre shteteve në NATO, e pas krizës së Megdanit as BE nuk është e pranuar. Serbia dhe Ballkani janë të vlefshme për ta kthyer Perëndimin nga kufijtë e asaj që Rusia e konsideron fushë të interesit.

Presidenti rus pritet të ketë një pritje të veçantë që nga aeroporti, takimet e deri tek Tempulli i Shën Savës ku do të ketë lutje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!