Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret që lejon dëbimin e banorëve të territoreve ukrainase të aneksuara paligjshëm, të cilët refuzojnë të marrin shtetësinë ruse.
Dekreti, që u publikua në ueb-faqen zyrtare ruse për informacione ligjore, thotë se ukrainasit që jetojnë në territoret e aneksuara ose duhet të bëhen shtetas rus ose zyrtarisht të refuzojnë shtetësinë, shkruan REL.
Sipas dekretit, këta banorë, “që shprehin dëshirën e tyre që të mbajnë shtetësinë ekzistuese apo të mbesin pa shtetësi” dhe nuk bëjnë betimin për marrjen e shtetësisë ruse, do të “konsiderohen të huaj” duke nisur nga 1 korriku i vitit 2024.
Banorët e territoreve të aneksuara, që marrin statusin e shtetasve të huaj apo qytetarëve pa shtetësi dhe kërcënojnë “sigurinë kombëtare” të Rusisë, mund të jenë subjekt i dëbimit nga Rusia.
“Ata që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare, avokojnë për ndryshime të dhunshme të rendit kushtetues, financojnë aktivitete terroriste dhe ekstremiste apo marrin pjesë në aktivitete të paautorizuara” mund të dëbohen, thuhet në dekret.
Për më tepër, qytetarët që kanë jetuar në territoret e okupuara ukrainase në ditën kur ato janë aneksuar, dhe qytetarët që paraprakisht kanë jetuar në këto territore dhe janë zhvendosur në Rusi, por që kanë deklaruar se duan të mbajnë shtetësinë ukrainase, po ashtu do të konsiderohen të huaj, theksohet ndër të tjera.

