Putin: Gati për dialog me Trump

schedule18:30 - 20 Qershor, 2019

schedule 18:30 - 20 Qershor, 2019

 Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur i gatshëm për dialog me homologun amerikan Donald Trump. Megjithatë, kreu i Kremlinit ka nënvizuar se politika e brendshme e Shteteve të Bashkuara dhe përpjekja e Trump për rizgjedhje, i komplikojnë gjërat.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se është gati të takohet me Donald Trump nëse ai e kërkon një gjë të tillë, por shtoi se fushata e homologut të tij për rizgjedhjen mund të komplikojë marrëdhëniet SHBA-Rusi. Trump ka deklaruar se pret të takohet me Putin në samitin e G20-s që mbahet në Osaka të Japonisë më vonë gjatë muajit, edhe pse Moska insiston se deri më tani nuk ka marrë një ftesë zyrtare për një takim të tillë.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi mbeten të cunguara për një sërë çështjesh, nga Siria tek Ukraina dhe Venezuela, si dhe për shkak të ndërhyrjes së përfolur ruse në politikën amerikane, akuzë të cilën Moska e mohon. “Dialogu është gjithmonë pozitiv dhe ka gjithmonë kërkesë për të”, deklaroi Putin gjatë sesionit vjetor pyetje-përgjigje me mediat, kur u pyet mbi takimin e mundshëm me Trump. “Natyrisht, nëse amerikanët shfaqin interes, atëherë ne jemi gati”, vijoi kreu i Kremlinit.

Lideri rus shtoi se dy vendet kanë shumë çështje për të cilat duhet folur, përfshirë këtu stabilitetin strategjik bërthamor, por theksoi se përpjekja e Trump për të fituar një mandat të dytë mund të vështirësojë gjërat. “Kreu amerikan i shtetit ka nisur fushatën dhe deklaratat që ai ka ndërmend të bëjë mund të komplikojnë situatën”, tha Putin.

Një tjetër aspekt që sipas tij pengon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është politika e brendshme amerikane. “Të gjithë po e shohim se çfarë po ndodh në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara. Kështu që edhe nëse presidenti dëshiron të përfshihet në dialog, mundësitë janë shumë të kufizuara”, shtoi Putin./ABC News Albania 24/7