Putin-Europës: Ju paralajmërova, por nuk më dëgjuat!

schedule22:45 - 7 Qershor, 2018

schedule 22:45 - 7 Qershor, 2018

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se një dekadë më parë paralajmëroi Europën për rrezikun e proteksionizmit amerikan, por askush nuk ia vuri veshin. Në një intervistë telefonike 4 orëshe, Putin ka thënë se BE-së nuk i ka mbetur tjetër veç se të vuajë pasojat.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të enjten se vite më parë i kishte paralajmëruar vendet europiane për rrezikun e ndryshimit të rregullave tregtare nga Shtetet e Bashkuara, por ato nuk e kishin dëgjuar. Gjatë një interviste televizive, Putin i ka krahasuar tarifat që Uashingtoni vendosi më herët gjatë muajit ndaj Kanadasë, Meksikës dhe BE-së me sanksionet ekonomike.

“Mesa duket, partnerët tanë mendonin se një gjë e tillë nuk do t’u ndodhte kurrë atyre, por tani po shohim të kundërtën”, ka thënë Putin.

Në intervistën e zhvilluar përmes telefonit, që ka zgjatur katër orë, shefi i Kremlinit ka saktësuar se paralajmërimin e kishte bërë në samitin e Mynihut në vitin 2007, ku kishte vënë në dukje rrezikun që Shtetet e Bashkuara t’u impononin rregullat e tyre vendeve të tjera.

“Atëherë askush nuk deshi të dëgjonte dhe askush nuk bëri gjë për ta shmangur. Por tani jemi para një fakti të kryer. Darka është shërbyer, uluni të hani”, ka thënë Putin.

Presidenti rus ka akuzuar gjithashtu Amerikën se ka prishur ekuilibrat bërthamorë dhe ka nënvizuar se askush nuk duhet të ndërmarrë hapa të nxituar.

“Ideja që një luftë e tretë botërore mund të jetë fundi i qytetërimit duhet të na përmbajë”, ka shtuar Putin./abcnews.al