Putin-Erdogan, bashkë për Sirinë, armatimet dhe gazin

schedule21:44 - 3 Prill, 2018

schedule 21:44 - 3 Prill, 2018

Në takimin e zhvilluar të martën në Ankara, presidentët Erdogan dhe Putin kanë rikonfirmuar bashkëpunimin mes tyre për një sërë çështjesh, përfshirë këtu Sirinë, armatimet dhe furnizimin me gaz.

Presidentët Recep Tayip Erdogan dhe Vladimir Putin kanë zhvilluar të martën një takim kokë më kokë në pallatin presidencial në Ankara, ku kanë konfirmuar lidhjet e ngushta mes dy vendeve. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit ka qenë Erdogan që ka theksuar se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Rusisë është forcuar pavarësisht përpjekjeve të disa qarqeve për ta helmuar atë. I cituar nga agjencia e lajmeve “Anadolu”, Erdogan ka thënë se pas çdo provokimi që ka rezultuar pa sukses, Ankaraja dhe Moska kanë dalë më të forta. Presidenti turk ka nënvizuar se një nga pikat e këtij partneriteti është vëllimi tregtar mes dy vendeve, që ka arritur sipas tij mbi 22 miliardë dollarë e që Turqia synon ta çojë në 100 miliardë. Sa i takon takimit trepalësh Rusi-Turqi-Iran për Sirinë, Erdogan ka thënë se ka informuar Putin për operacionet e ushtrisë turke në Afrin, që sipas tij ka si synim sigurinë e Turqisë dhe ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë. Më tej presidenti turk ka shtuar se marrëveshja me Rusinë për blerjen e sistemeve mbrojtëse raketore “S-400” është tashmë e përfunduar. Në të njëjtat linja, Putin ka theksuar se nuk ka “faktorë negativë” në marrëdhëniet Rusi-Turqi dhe se mes dy administratave po diskutohet lehtësimi i pajisjes me vizë. Putin ka thënë se bashkë me Erdogan kanë vendosur përshpejtimin e dërgimit të sistemit raketor në Turqi, ndërsa ka shprehur shpresën e tij që bisedimet për gazsjellësin “Burimi Verior” të arrijnë rezultate pozitive. Nga Ankaraja, Putin i ka dhënë përgjigje edhe akuzave të Perëndimit lidhur me helmimin e ish-oficerit të shërbimeve sekrete ruse me agjent nervor. Duke cituar ekspertët e shërbimeve të inteligjencës, Putin ka thënë se të paktën 20 shtete mund të prodhojnë agjentë kimikë të familjes Noviçok. Më herët, Putin dhe Erdogan ndoqën përmes një video-konference ceremoninë për nisjen e punimeve të çentralit të parë bërthamor të Turqisë, Akuju, që do të ndërtohet në provincën e Mersinit nga një kompani ruse./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!