Putin: Ekonomia ruse u tkurr me 2.5% gjatë 2022, por tejkaloi pritshmëritë

schedule14:21 - 17 Janar, 2023

schedule 14:21 - 17 Janar, 2023

Presidenti rus, Vladimir Putin në një deklaratë të martën tha se ekonomia ruse mund të jetë tkurrur 2.5 për qind në 2022, por ka tejkaluar pritshmëritë. Deklaratat e Putinit vijnë pas një takimi me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë ministrin e Financave dhe shefin e Bankës Qendrore, ku ka theksuar se do të stimulojë rritjen e pagave.

“Dinamika aktuale ka qenë më e mirë sesa që e kanë parashikuar shumë ekspertë. Sipas Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, bruto-prodhimi i brendshëm i Rusisë në periudhën janar-nëntor 2022 është ulur, mirëpo vetëm 2.1 për qind”, ka thënë Putin.

“Shumë ekspertë në shtetin tonë, pa llogaritur të huajt, kanë parashikuar ulje prej 10 dhe 15 për qind, madje edhe 20 për qind.

Për vitin në përgjithësi, ulja pritet të jetë 2.5 për qind”, ka thënë ai.

Lufta në Ukrainë dhe vendosja e sanksioneve perëndimore kanë dëmtuar shumë sektorë të ekonomisë ruse, përfshirë edhe kufizimin e eksporteve të naftës dhe gazit.

Derisa qeveria dhe banka qendrore kanë pranuar vështirësitë, Moska ka thënë se ekonomia e saj është e qëndrueshme dhe se sanksionet i janë kthyer boomerang Perëndimit, duke rezultuar me rritje të inflacionit dhe çmimeve të energjisë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!