Ish ushtaraku Artur Meçollari tha se është vështirë që grupi Wagner të shënojë sukses në Rusi vetëm nëse do të mbështetet nga populli rus. Në një intervistë për ABC News, Meçollari tha se nëse nuk merr mbështetjen e rusëve, grupi Wagner do të shuhet shumë shpejt si një forcë rebele brenda Rusisë.
“Gjykoj që Wagner do të ketë vetëm një shans suksesi nëse popullsia e Moskës do të jetë me të. Në të kundërt, Wagner do të shuhet shumë shpejt si një forcë rebele brenda federatës ruse për shkak dhe të objektivave që ka. Objektivat e Wagner duken pak absurde dhe të paarritshme.”, tha ai.
Sipas tij, lëvizja e kreut të grupit Yevgeny Prigozhin do të dobësojë figurën e Putinit si edhe ushtrinë ruse. Meçollari shtoi se kjo lëvizje shkon në favor të Ukrainës, e cila duhet ta shfrytëzojë. Meçollari thotë se Prigozhin me këtë lëvizje po përpiqet që të negociojë me Perëndimin.
“E shikoj si një lëvizje në favor të suksesit të Ukrainës. Prigozhin e ka bërë për të qartësuar pozicionin e tij kundra Putinit por në favor të Perëndimit dhe Ukrainës. Ndoshta shumë shpejt mund të shikojmë se do të jetë mbështetës i Perëndimit apo do të kërkojë diçka. E shoh si një lëvizje për të negociuar me perëndimin sesa për të rrëzuar Putinin. Gjithë ky veprim do të ketë dobësi të Putinit. Suksesi i tij s’do të jetë rrëzimi i Putinit, i gjithë sulmi dhe parada që parashikon Prigozhin do të shuhet në drejtim të Moskës, s’do të arrihet qëllimi final por do të shfaqë dobësi dhe do të ketë pasoja si në udhëheqjen e Putinit ashtu edhe në forcat ushtarake ruse që gjenden në Ukrainë.“, tha ai./abcnews.al