Presidenti amerikan, Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë. Në bisedën që ka zgjatur mbi një orë, dy liderët kanë diskutuar për Sirinë, Ukrainën dhe Korenë e Veriut.
Pasi takoi presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, lideri i Rusisë, Vladimir Putin ka raportuar tek kreu i Uashingtonit. Shtëpia e Bardhë bën me dije se presidenti amerikan, Donald Trump ka biseduar në telefon për më shumë se një orë me homologun e tij rus. Sipas Uashingtonit dy liderët kanë diskutuar për një sërë çështjesh që përbëjnë shqetësim ndërkombëtar.
Mësohet se Trump dhe Putin biseduan për situatën në Siri dhe terrorizmin më gjerësisht, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN, si dhe gjendjen në Afganistan, Ukrainë dhe Korenë e Veriut. Telefonata pritej të përqëndrohej në gjendjen e luftës civile siriane pas takimit të rrallë ballë për ballë mes Putin dhe Asadin të hënën, ku dy krerët folën për operacionin ushtarak dhe nevojën për të nisur proceset politike në vend, sipas një deklarate të qeverisë ruse.
Ky është diskutimi i fundit mes Trump me Putin për Sirinë, të cilët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë, për të sjellë zgjidhje për konfliktin disa-vjeçar që ka shkatërruar vendin – duke vrarë qindra mijëra sirianë dhe duke shkaktuar largimin e qindra-mijëra personave nga vendi. Marrëveshja mes tyre për Sirinë u arrit në një takim informal në samitin APEC në Vietnam. Ata u dakordësuan që të mos ketë ndërhyrje ushtarake por gjetjen e një zgjidhje politike për konfliktin sirian./abcnews.al