Putin dhe Erdogan, kanë formuar një “vëllazëri” të fuqisë së ashpër

schedule10:38 - 25 Shkurt, 2021

schedule 10:38 - 25 Shkurt, 2021

The Economist

Kremlini e ka akuzuar NATO-n se po përpiqet qëtë rrëzojë nga pushteti Vladimir Putinin. Ai e ka portretizuar, Alexei Navalny, sfidantin më të spikatur të Putinin,si një agjent të Amerikës. Gjithashtu e ka quajtur Bashkimin Evropian, që e denoncoi helmimin e zotit Navalny dhe burgimin e tij pas kthimit në atdhe, një “partner jo të besueshëm”.Por është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për t`u anëtarësuar në BE, me të cilin Putin është i kënaqur:Turqia. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, nuk ka thënë asgjë në lidhje me keqtrajtimin e Navalny dhe as mbi arrestimin e mijëra rusëve që protestuan kundër burgosjes së tij.

Heshtja e tij, është dëshmi e një aleance të pazakontë që është krijuar midis dy udhëheqësve autoritarë. Është një marrëdhënie e jashtëzakonshme. Rivalitetet e thella historike ndajnë Rusinë dhe Turqinë, dhe interesat e tyre përplasen, ndonjëherë me dhunë, në shumë zona.

E megjithatë, që të dy burrat ndajnë një lidhje mbi fuqinë e ashpër, që po e ndryshon politikën rajonale, dhe që po shkakton probleme të vështira për aleatët perëndimorë të Turqisë.

Historikisht, Rusia dhe Turqia kanë zhvilluar jo pak luftëra kundër njëra-tjetrës,ndonëse asnjë të tillë qëkur dy perandoritë u transformuan nga revolucionet në fund të luftës së parë botërore. Të dy vendet janë fërkuar vazhdimisht me njëri-tjetrin në zonat ku janë mbivendosur interesat e tyre.

Në shumë aspekte, kjo gjë ndodh edhe sot. Për shembull, Rusia dhe Turqia janë përfshirë në luftërat civile të Libisë dhe Sirisë. Në shtatorin e vitit të kaluar, ato u përballën në Kaukazin e Jugut, të cilin Rusia e sheh si “oborrin” e saj të pasmë.

Me Turqinë që po armatoste dhe këshillonte Azerbajxhan mysliman dhe turqisht-folës, dhe Rusinë që mbështeste Armeninë e krishterë, shumë analistë u shqetësuan se konflikti rreth Nagorno-Karabak, një enklavë etnike armene brenda Azerbajxhanit, do të përshkallëzohej në një luftë edhe më të madhe.

Por ndërsa dronët turq godisnin tanket ruse të përdorura nga pala armene, Putin e vlerësoi Erdogan si dikë me të cilin mund të bënte biznes. “Të punuarit me një partner të tillë nuk është vetëm e këndshme, por edhe e sigurt”- u shpreh ai para një auditori ekspertësh të huaj në diskutimet e Klubit Valdai në tetor 2020.

Nga ana e tij, Erdogan e përshëndeti Putinin, duke testuar sistemin raketor S-400, që Turqia ka blerë nga Rusia. Në nëntor, ata i dhanë fund luftimeve duke arritur një pakt, që i garanton Rusisë një prani ushtarake në Nagorno-Karabak, dhe Turqisë një bastion ekonomik në Kaukazin e Jugut.

Kjo marrëveshje përfaqëson një nga zhvillimet më të rëndësishme gjeopolitike që nga fundi i luftës së ftohtë, kur Rusia dhe Turqia ishin të rreshtuara në anë të kundërta. Ajo bart  gjithashtu një mesazh në lidhje me përdorimin e fuqisë së ashpër, dhe realitetin e një bote multipolare.

“Ata të dy e kuptojnë se nuk është ekuilibri i forcave ai që ka rëndësi, por gatishmëria për ta përdorur atë”- thotë Andrey Kortunov, kreu i Këshillit Rus të Çështjeve Ndërkombëtare. Amerika mund të ketë pasur një ushtri superiore, por ngurrimi i saj për t’u angazhuar në Siri, la Rusinë dhe Turqinë në krye të këtij rajoni të shkatërruar nga lufta.

Dhe gati pas 30 vitesh bisedime të pafrytshme mbi Nagorno-Karabakun, ishte mbështetja ushtarake e Turqisë dhe pranimi i Rusisë, ajo që e ndihmoi Azerbajxhanin të rifitonte territorin e aneksuar, dhe të zhvendoste një nga konfliktet më të rrënjosura në Kaukaz.

Për Putinin, kjo ishte dëshmi e një rendi të ri multipolar, diçka që ai e kishte mbrojtur që nga viti 2007.

Karabaku nuk ishte hera e parë që Rusia kishte bashkëpunuar me Turqinë për të minimizuar ndikimin e fuqive perëndimore. Pas revolucionit bolshevik dhe shembjes së perandorisë osmane, Kemal Ataturku e pa për pak kohë Leninin si një aleat kundër Perëndimit perandorak, ndërsa bolshevikët e panë Turqinë si një bashkëpunëtore, në synimin e tyre për dominimin e botës.

Bolshevikët e furnizuan Turqinë me armë për të luftuar grekët dhe britanikët, ndërsa Turqit pranuan që bolshevikët të merrnin kontrollin e fushave të naftës të Azerbajxhanit, dhe vendosjen e sundimit të tyre në Kaukazin e Jugut. Marrëveshja midis Ataturk dhe Leninit në vitin 1921 që caktoi kufirin veri-lindor të Turqisë dhe e kufizoi praninë e saj në Kaukazin e Jugut,  ka mbetur në fuqi që nga ajo kohë.

Dhe lufta e vitit të kaluar mbi Nagorno-Karabakun, ishte një pasqyrë e asaj marrëveshjeje. Tani, është Putin ai që po e josh Turqinë të bëhet palë më të në konfrontimin e tij me Perëndimin, duke shpresuar ta përdorë atë si një pykë në NATO, ndërsa vetë Erdogan po e projekton fuqinë e Turqisë në ish-sferat e saj të ndikimit.

Afrimiteti mes tyre është edhe më i çuditshëm për shumëkënd, po të kihet parasysh fakti që Turqia është i vetmi vend i NATO-s që është përplasur ushtarakisht me Rusinë vitet e fundit. Në vitin 2015, Turqia rrëzoi një avion luftarak rus që kishte shkelur hapësirën e saj ajrore në kufi me Sirinë.

Rusia u kundërpërgjigj duke vendosur sanksione kundër produkteve turke, duke i urdhëruar turistët rusë që të qëndronin larg plazheve turke, dhe duke bombarduar luftëtarët etnikë turkmenë në veri të Sirisë. Po çfarë ndryshoi më pas?

Marrëdhënia filloi të përmirësohej në verën e vitit 2016, kur Putini i telefonoi presidentit turk pas një grushti shteti të dështuar në Turqi, që shkaktoi rreth 270 të vdekur. “Putini i telefonoi. Ai u tregua mjaft i zgjuar, duke i shprehur solidaritetin në ato momente delikate”- tha një zyrtar turk.

Shumica e udhëheqësve perëndimorë, ngurruan shumë para se ta bënin këtë gjë. Pak kohë më vonë Erdogan shkoi në Rusi, ku nënshkroi një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi, dhe ra dakord për fillimin e punë për ndërtimin e një termocentrali bërthamor rus në Turqinë jugore.

Dy pilotët që kishin rrëzuar aeroplanin rus në vitin 2015 përfunduan në burg, të akuzuar për përfshirje në grushtin e shtetit. Që nga viti 2016,Erdogan ka zhvilluar më shumë takime me zotin Putin sesa me ndonjë udhëheqës tjetër. Rusia u shndërrua nga kundërshtarja e Turqisë në luftën civile në Siri, në partnerin e saj më të rëndësishëm atje.

Vendimi për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse S-400, është deri më tani elementi më i rëndësishëm i marrëdhënies së re. Dy vjet më parë Erdogan e quajti atë “marrëveshjen më të rëndësishme në historinë tonë”. Por kostoja ka qenë e lartë. Turqia pagoi 2.5 miliard dollarë për vetë pajisjen, por edhe dëbimin nga programi amerikan iavionëve F-35, dhe humbjen prej 9 miliard dollarë në kontratat për industrinë turke të armëve.

Në dhjetor, Amerika vendosi sanksione shtesë kundër agjencisë turke të shit-blerjes së armëve. Tregtia dhe investimet gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në lidhjen mes 2 vendeve. Për shkak se eksportet e energjisë ruse përbëjnë pjesën më të madhe të tregtisë së tyre, Turqia ka një deficit prej 13.4 miliardë dollarësh me Rusinë.

Lidhja ka fituar rëndësi tani që të liderët po menaxhojnë 2 ekonomi në vështirësi. Si Putin ashtu edhe Erdogan, bien dakord me idenë se vendet e tyre janë “kështjella të rrethuara” nga armiq. Ndaj, ata iu drejtuan agresionit jashtë vendit për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme.

Gjithashtu,Turqia dhe Rusia ndajnë një ndjenjë hidhërimi se janë përjashtuar nga Evropa. Ndërkohë dy autokratët ndajnë një nostalgji për perandorinë. Putin e portretizon veten si një patriot që po rindërton pjesë të perandorisë sovjetike, dhe që ka zhvilluar luftëra kundër Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Edhe Erdogan e ka vendosur të kaluarën osmane të vendit të tij në shërbim të një politike të jashtme më agresive, duke synuar rivendosjen e sundimit turk mbi ishujt grekë në Detin Egje. Gjithsesi,Rusia dhe Turqia janë ende larg një aleance e vërtetë.

“Nuk po flasim për një partneritet strategjik”-thotë Onur Isci, kreu i Qendrës për Studime Ruse në Universitetin Bilkent. “Unë nuk mendoj se Turqia ka luksin të rrezikojë prishjen e gjithë marrëdhënies së saj institucionale me Perëndimin”- thekson ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al