Pushuesi vdiq në Velipojë, familja akuza për ambulancën, Brataj: Jo të gjithë shpëtojnë

schedule20:38 - 21 Qershor, 2021

schedule 20:38 - 21 Qershor, 2021

Pak ditë më parë një pushues, shqiptar nga Kosova ndërroi jetë në Velipojë, pasi pësoi atak kardiak sapo hyri në det për t’u larë.

Ankesat nga familjarët e pushuesit që ndërroi jetë ishin të shumta për vonesë nga ambulanca, e cila sipas tyre, nëse do të kishte shkuar më shpejt, familjari i tyre mund të kishte shpëtuar. Por si jemi këtë vit me situatën në plazhe për ofrimin e ndihmës së shpejtë, a jemi gati?

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj i ftuar në Radarin Informativ në ABC u përgjigj duke thënë se “Sigurisht që jemi gati në këtë situatë por duhet të kemi edhe një gjë parasysh, jo çdo sëmundje shërohet, jo të gjithë shpëtojnë sepse varet nga grada e sëmundjes” tha ai.

Lexo edhe: A do të ketë jetë nate këtë vetë? Flet Skënder Brataj

Gazetarja Jonida Shehu replikoi duke thënë se kjo mund të vlerësohet kur ambulanca të ketë shkuar në kohën e duhur. “Po sigurisht që ne shkojmë në kohën e duhur. Një infarkt varet se çfarë përmase të zemrës kap, kë arterie bllokon dhe kë person godet, atë e godet për herë të parë, që ka sëmundje të tjera apo jo, që ka gjendje, pompë kardiake funksionale, apo ka një insuficencë, që i mjafton një gjë e vogël që ta dërgojë në arrest” tha ai.

Rasti i Velipojës nuk u mbyll me kaq, pasi një grup shqiptarësh nga Kosova protestuan duke thënë që nuk do të vijnë më të pushojnë në Shqipëri nëse nuk ofrohet minimalisht shërbimi shëndetësor në kohë.

Lexo edhe: Çfarë do të ndodhë me COVID-in në vjeshtë? Brataj ka një lajm të mirë dhe një të keq

Publiciteti që bëhet për një rast të vetëm nuk përfaqëson shëndetësinë shqiptare. Sepse dy vjet më parë kur nuk ishte pandemia, kur kemi filluar në 2016 me 9600 vizita dhe kemi mbërritur në 60 mijë në 2019 në të gjitha qendrat shëndetësore të pajisura me të gjitha pajisjet që nuk kanë qenë. Këtë verë janë 29 qendra shëndetësore janë 138 mjekë dhe infermierë 24 orë me të gjitha burimet njerëzore” tha Brataj.

Por a mund të shkonte urgjenca më herët se një orë në këtë rast? ”Ka ekip mjekësor në Velipojë, nuk shkon vetëm nga Shkodra. Me detaje nuk e di si është realisht. Qendrat shëndetësore e kanë filluar në 15 qershor” përfundoi Brataj në ABC. / d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!