Shqipëria është renditur në listën e 10 vendeve që ia vlejnë për t’u vizituar në SUhtator, për të kaluar pjesën e mbetur të pushimeve. Revista prestigjioze britanike “SI EN Trevëllër” u rekomandon pushuesve evropianë vendin tonë, për të zgjedhur mes alpeve dhe plazheve me ujin e kristaltë.
Pas Gushtit, Shtatori është muaji i fundit që mund të shijohet në mbyllje të sezonit të verës. Dhe nëse pushuesit që zgjedhin këtë muaj janë të pavendosur se ku të drejtohen për të kaluar ditët e relaksit, për të zgjidhur dilemat e tyre mendon “CN Traveller”.
Revista britanike ofron një listë me 25 vende ku pushuesit mund të shpenzojnë ditët e mbetura të pushimeve, mes të cilave, në vendin e 10 renditet Shqipëria. Vendi ynë rekomandohet për një sërë karakteristikash, duke filluar nga temperaturat, që sipas revistës variojnë nga 15 deri në 27 gradë Celsius. “Shqipëria mund të mos jetë “Kroacia e re”, por është një vend mjaft tërheqës”, shkruan revista në edicionin e saj online, ku thekson se për shumë kohë, “xhevahiri i Ballkanit” ka qendëruar jashtë radarëve të operatorëve turistikë.
Në shkrimin e saj revista sugjeron për të vizituar si Alpet shqiptare, ashtu edhe zonat bregdetare. “Mund të arratiseni fare mirë në rivierën shqiptare për rërë të artë dhe det të kristaltë”, shkruan “CN Traveller”.
Revista nënvizon se, në verë plazhet janë të mbushura me njerëz që arratisen nga Tirana për t’i shpëtuar vapës, por në shtator ato janë të qeta, ndërsa klima mbetet mesdhetare dhe Adriatiku i ngrohtë. Në renditjen e bërë nga revista, Shqipëria ka lënë pas vende prestigjioze, të njohura për reputacionin e tyre sa i takon turizmit, si Lisbonën, Ibizën, Sicilinë, Korfuzin, Santorinin, Barcelonën, etj./ABC News Albania 24/7