Betim Kastrati është 38-vjeçari që u gjet i vdekur në aksin rrugor Lushnjë-Fier. Sipas policisë 38-vjeçari ka qëlluar veten me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme në vendin e quajtur Kolonjë.
Së fundmi kanë dalë detaje të reja lidhur me viktimën, ku raportohet se ai ishte banues në qytetin e Kamzës dhe punonte në port. Kohët e fundit viktima kishte shfaqur shenja të depresionit.
38-vjeçari ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë të mitur, ndërkohë që u gjet i pajetë në mjetin e tij tip Volvo, i cili ishte parkuar në mënyrë të rregullt anës rrugës.
Fillimisht ngjarja u hetua për ndonjë vrasje të mundshme, por sipas policisë, Kastrati kishte vrarë veten, në kushtet e depresionit.
Njoftimi i policisë:
Në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës, në një xhep rruge, brenda në automjetin tip “Volvo”, i parkuar në mënyrë të rregullt, është gjetur i pajetë shtetasi B.K, 38 vjeç.
Nga tërësia e veprimeve paraprake të kryera dhe provat e gjetura në vendngjarje dyshohet se shtetasi B. K., si pasojë e depresionit është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/abcnews.al/