Punëtorët në Greqi fillojnë një grevë për koston e lartë të jetesës

schedule10:55 - 20 Nëntor, 2024

schedule 10:55 - 20 Nëntor, 2024

Punëtorët e sektorit privat dhe publik në Greqi filluan këtë të mërkurë një grevë të përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikatat për të protestuar ndaj kostos së lartë të jetesës dhe për të kërkuar marrëveshje kolektive mbi pagat që janë ulur gjatë krizës financiare gati dhjetëvjeçare të Greqisë që filloi në vitin 2010.

Transporti publik në kryeqytetin Athinë u pezullua për disa orë dhe tragetet që lidhnin ishujt me kontinentin mbetën në port.

Në grevë marrin pjesë edhe personeli mjekësor në spitalet shtetërore dhe mësuesit në shkolla.

Gazetarët e medias greke mbajtën grevën  të martën, një ditë më parë, në shenjë mbështetjeje dhe për të raportuar nga greva e përgjithshme.

Gjatë ditës së sotme marshime proteste janë planifikuar edhe në qendër të Athinës.

Sindikatat kanë kritikuar qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për dështimin për të trajtuar me sukses politikat e inflacionit dhe strehimit, të cilat kanë kërcënuar seriozisht standardet e jetesës së punëtorëve.

Kriza financiare në Greqi çoi në shkatërrimin e një të katërtës së ekonomisë së vendit. Paketat e njëpasnjëshme të ndihmës ndërkombëtare erdhën me kushtin që vendi të zbatonte reforma shumë të papëlqyeshme që përfshinin shkurtime të pensioneve dhe pagave dhe çuan në rritjen e shkallës së varfërisë dhe papunësisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!