Kontejnerë të shumtë në kryeqytetin e Kosovës janë mbuluar nga mbeturinat.
Kjo për faktin se punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” nga 13 marsi kanë nisur një grevë me kërkesë rritjen e pagave.
Në këtë kompani, pagat e punonjësve fizikë janë 330 euro, kurse kërkesa e tyre është që kjo vlerë të arrijë 400 euro.
Një ditë grevë e punëtorëve të kompanisë rajonale “Pastrimi” ka bërë që Prishtina të mbushet bërllok.
Të hënën, punëtorët e “Pastrimit” protestuan në kërkim të kushteve më të mira të punës e rritje pagash.
Si shenjë proteste ata nuk dolën të mbledhin mbeturinat.
Pasdite kjo kompani ka njoftuar se menxhmenti i kompanisë ka takuar sindikalistët dhe ka deklaruar se është pro rritjes së pagave, duke e arsyetuar me kontratën e re me Komunën e Prishtinës dhe me rritjen e numrit të klientëve.
Menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve të “Pastrimit” është zotuar që “muajve të ardhshëm të ketë ngritje pagash në bazë të mundësive (të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”.
Ndërkaq punëtorët kanë kërkuar që ngritja të bëhet menjëherë.
“Pastrimi” ka njoftuar se diskutimet do të vazhdojnë.
Zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnore Ademi ka thënë të martën se kompania ka bërë kërkesë për rritjen e faturave të mbeturinave në të gjitha komunat ku e bën largimin e tyre.
Mirëpo ajo ka shtuar se deri tani asnjë komunë nuk ka kthyer përgjigje.
“Kompania ‘Pastrimi’ ka adresuar kërkesën për rritjen e faturës së mbeturinave në të gjitha komunat ku bëhet largimi pasi kohëve të fundit jemi dëshmitarë të inflacionit në treg, rritja e derivateve që është lëndë e parë për kryerjen e largimit të mbeturinave sepse ne jemi ndërmarrje publike me vetëfinancim, që do të thotë që të ardhurat financiare i sigurojmë vetë, pastaj, kemi një mekanizëm të amortizuar. Ne kemi një numër të madh të punëtorëve dhe të gjithë janë mbajtës të familjeve të tyre. Ne si kompani e kemi parë të nevojshme të bëjmë kërkesën nëpër komuna për rritje të faturave, kemi bërë kërkesat në të gjitha komunat mirëpo që deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar ende nga asnjë komunë ku ne e bëjmë largimin e mbeturinave”.
Ajo ka folur edhe për grevën e punëtorëve të “Pastrimit” duke thënë se po zhvillohet me kërkesën për rritje të pagave.
Sipas saj, pritet që menaxhmenti të dalë me një vendim për këtë kërkesë gjatë ditës së martë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për situatën e krijuar në kryeqytet me rastin e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Meqenëse lagjet e Prishtinës janë mbushur nga bërlloku, kryetari Rama ka thënë se kjo situatë është e papranueshme edhe pse e kuptojnë zhgënjimin e punëtorëve dhe e njohin të drejtën e tyre për të protestuar.
Prandaj, ai thekson se janë të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Gjithashtu shton se kanë vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat.
“Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”.
Kurse, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, e ka cilësuar alarmante dhe të papranueshme gjendjen me bërllok, me të cilën u përball kryeqyteti të martën, si pasojë e grevës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”.
Të hënën, punëtorët e “Pastrimit” u futën në grevë duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës e rritje pagash.
“Sot kemi gjendje alarmante në qytet. Punëtorët e ndërmarrjes ‘Pastirmi’ janë futur në grevë. Jemi duke u marrë intensivisht me këtë problem dhe shpejt arrijmë marrëveshje. Kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar Zogaj.
Për grevën kanë paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, të cilët kanë kërkuar rritje page.
“Lidhur me grevën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, ju njoftojmë se pas shprehjes së pakënaqësisë të punëtorëve lidhur me ngritjen e pagave, sot me dt. 13.03.2023 u organizua takimi i radhës në mes të Menaxhmentit të Kompanisë, Bordit të Drejtorëve dhe Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të KRM “Pastrimi”, SH.A”, thuhet në njoftimin e tyre.“Menaxhmenti i Kompanisë “Pastrimi”, dhe Bordi i Drejtorëve u deklaruan se është për ngritjen e pagave meqenëse me kontratën e re të po sa nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë ”Pastrimi”, SH.A, ka një rritje të numrit të klientëve, dhe kjo rritje e numrit të klientëve do duhej të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë, andaj Menaxhmenti i Kompanisë dhe Bordi i Drejtorëve u zotuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive-(të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”./Monitor