Punësimi/ Sejdarasi: S’ka një formulë për të kthyer ata që u larguan jashtë. Muça: Mungon informacioni për tregun e punës

schedule20:33 - 17 Shtator, 2024

schedule 20:33 - 17 Shtator, 2024

Eksperti për ekonominë, Bardhi Sejdarasi thotë se aktualisht, në Shqipëri ka 75 mijë punëtorë të huaj.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Sejdarasi u shpreh se nuk ka ende një formulë, për të kthyer në vend, pjesën më të madhe të emigrantëve, të cilët janë larguar jashtë.

Ndërsa eksperti për punësimin dhe karrierën, Erion Muça deklaroi se nuk ka një ofertë kombëtare për punë, në formën e një sistemi, ku të rinjtë të shohin se për çfarë ka nevojë tregu i punës.

Bardhi Sejdarasi: S’e kemi bërë kurrë. Dështuan Bangladeshi, Sri Lanka dhe Nepali, qëndruan 3 muaj këtu dhe pastaj ikën. Me Filipinet ka një gjë interesante, me Filipinet duhet të bësh një marrëveshje qeveritare. Qeveria filipinase, për të gjithë njerëz që liston në një listë, iu merr një angazhim. Angazhimi është që ju do shkoni të punoni si emigrantë, por nuk mund të ikni nga ai vend derisa të mbarojë kontrata. Ne e kishim brenda qershorit për ta nënshkruar këtë kontratë, nuk u nënshkrua. Shqipëria është e 38-ta në listën e Filipineve, për të marrë fuqi punëtore nga Filipinet. Nuk merr dot 40 mijë, sa ishte planifikuar nga qeveria. Mund të gjesh të lirë 1 mijë veta, t’i marrësh dhe t’i sjellësh në Shqipëri. Shumë shtete marrin fuqi punëtore nga jashtë, kemi 75 mijë veta këtu. Ne kemi 3 dekada që nuk rrijmë të mbajmë këtë nivel të lartë, na ikin çdo vit 10-15 mijë studentë. Na ikin shumë më shumë para nga këto elementë. Nuk kemi gjetur ende një formulë që ata që kanë ikur, një pjesë të mirë të tyre t’i rikthejmë.

Erion Muça: Shqipëra ka një problem shumë të madh. Problemi është që mungon një ofertë kombëtare për punë, në formën e një sistemi. T’i tregojmë gjithë të rinjve, çfarë ofrohet këtu? Cili është potenciali real dhe faktik i tregut tonë të punës, çfarë profesionesh kërkohen, çfarë zanatesh duhen, çfarë aftësish duhen. Më pas, të mund të kemi një ofertë, propozim konkret që këta të rinj t’i mbajmë këtu, për t’i orientuar për karrierën, për t’i orientuar për degët dhe programet e studimit që do ndjekin, që më pas të kemi statistikat. Mungon informacioni sesi kërkohet dhe gjendet puna në Shqipëri. Të pyesësh sot sa mjekë kërkohen për punë në Shqipëri apo në Gjermani, nuk gjen dot informacion zyrtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!