Punësimi në turizëm/ Eksperti: Sipërmarrja është ndërgjegjësuar, të kualifikuarit kërkojnë paga dhe siguri

schedule14:37 - 7 Mars, 2024

schedule 14:37 - 7 Mars, 2024

SHQIPËRI- Turizmi në vend pritet të transformohet në një udhëheqës të punësimit.

Në kuadrin makroekonomik 2025-2027 theksohet se shërbimet do të kenë kontributin kryesor në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.

Niveli i papunësisë ka arritur në kufirin më të ulët historik në 5 vitet e fundit duke prekur nivelin 10.2% gjatë këtij viti.

Ndërsa vlerësimet janë që ulja e papunësisë do të vijojë duke  zbritur në 9.3%  në vitin 2027.

Turizmi gjatë këtij viti konsiderohet një nga shtyllat kryesore të ecurisë ekonomike në vend dhe si rrjedhojë do të zbehë edhe ndikimin e efekteve demografike.  Në përputhje me parashikimet afatmesme të rritjes, punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.2 përqindësh në vit gjatë viteve 2025.

Eksperti i punësimit, Erion Muça, në një koment për “Money Report” në ABC News, tha se sektori i turizmit duhet të planifikojë veprime inkurajuese për punonjësit, duke u garantuar atyre kontrata më të gjatë në kohë.

Ai theksoi se nëse kjo garanci do t’i ofrohet punonjësit të turizmit, zgjedhja dhe puna e tij do jetë më produktive në atë sektor.

“Rritja e pagave në industri ka qenë progresive në dy vitet e fundit, çfarë do të thotë se nga sipërmarrja ka pasur një ndërgjegjësim dhe është parë më shumë interesa se në industritë e tjera.  Duhet parë mundësia, për të rritur kohën dhe siguruar punëtorët me kontrata më të gjata, kryesisht për ato punonjës të kualifikuar, flas këtu për menaxher, për kuzhinierë dhe pastiçierë, që janë të specializuar për ta ofruar këtë shërbim’, tha ai.

Një tjetër sektor, i cili shikohet me perspektivë është ai i agroturizmit.

Muça shprehet se kjo sipërmarrje duhet mbështetur fort pasi krijon mundësi të reja dhe zhvillim për zonat.

“Unë këtë nismë e shoh si pozitive, më tepër si mekanizëm start up. Treguesit janë të tillë që këto sipërmarrje hapen si njësi agroturizmi interesante, por mbeten të kufizuara në një numër të kufizuar punonjësish, sepse leverdia e atij që e hap këtë sipërmarrje varet nga rendimenti financiar dhe ekonomik dhe numri i punonjësve që punojnë në të, këtë formë biznesi e inkurajojë shumë fort”, shprehet ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!