Punësimi i mësuesit të akuzuar për pedofili, Kushi: Gjykata nuk ia hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit

schedule11:02 - 16 Dhjetor, 2021

schedule 11:02 - 16 Dhjetor, 2021

Në seancën e sotme plenare u zhvillua një seancë pyetje-përgjigje mes ministres së Arsimit Evis Kushi dhe deputetes Erisa Xhixho. Deputetja e LSI ngriti një sërë pyetjesh rreth çështjes së mësuesit Ëngjëll Bregu, i cili u rikthye në detyrë edhe pse akuzuar për pedofili.

Erisa Xhixho e pyeti ministren se cilat janë mekanizmat që janë ngritur për të mbrojtur nxënësit nga ata që ajo i cilësoi si “grabitqarë seksuale”, çfarë praktikash ndiqen kur raportohet një ngacmim seksual etj. Sipas deputetes, sistemi i përzgjedhës i mësuesve është korruptiv dhe krijon hapësira që njerëz të tillë të rrezikshëm të emërohen në detyrë.

Në përgjigjen e saj, ministrja Evis Kushi bëri të ditur se kthimi në detyrë i mësuesit nuk bëhej për herë të parë. Sipas të dhënave që ajo citoi, Bregu kishte qenë që nga viti 2004 në punë me shkëputje të herë pas hershme.

Gjithashtu, ministrja sqaroi se gjykata nuk i hoqi Bregut të drejtën e ushtrimit të profesionit, ndërsa dënimi me kalimin e viteve u hoq edhe nga dëshmia e penalitetit të mësuesit. Për këtë arsye, Kushi bëri të ditur se ka biseduar me ministrin Ulsi Manja për të marrë një iniciativë ligjore që disa vepra të rënda penale të mos fshihen asnjëherë nga dëshmia e penalitetit.

Megjithatë, deputetja Xhixho theksoi se qeveria nuk duhet të reagojë pasi ngjarjet të ndodhin por duhet të kujdeset që të parandalojë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!