Disa pula të ngordhura janë gjetur në breg të detit në zonë e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Pas publikimit të pamjeve nga mediat mbërritën veterinerët e Lezhës.
Përgjegjësi i Veterinarisë, Dedë Rama ka reaguar në lidhje me shpendët e ngordhura që u gjetën ditën e sotme në bregdetin e Shengjinit.
Ai tha se në fillim u krijua gjendje alarmante sikur bregdeti ishte mbushur me pula të ngordhura, kurse ne në terren specialistët gjetën vetëm katër pula që nuk kanë lidhje me zonën territoriale të qarkut Lezhë, as me fermat e Lezhës, sipas Dedë Ramës.
“Na u krijua një gjendje alarmante sikur bregdeti ishte mbushur me pula të ngordhura, kurse ne në terren nuk pamë gjë tjetër, vetën se katër pula që nuk kanë lidhje me zonën territorial të qarkut Lezhë, e sidomos me fermat e Lezhës. Me qenë se shpendët ishin të dekompozuar, ne bashkë me specialistin e zyrës morëm masat”, u shpreh Rama.
Lexo edhe: Bregdeti i Shëngjinit “mbulohet” nga pulat e ngordhura
Ndërkohë Lek Prendi, specialist i Zyrës së Veterinarisë në Lezhë tha se në pikën ku u konstatuan pulat e ngordhura nuk ka asnjë qendër banimi, asnjë shtëpi dhe asnjë fermë që rriten shpendë.
Ai tha se vendi ku u gjetën pulat e ngordhura u dezinfektua dhe se në ditët në vijim organet përkatëse do të dalin me konstatime konkrete për pulat e ngordhura.
Për të verifikuar nëse kanë ngordhur nga gripi i shpendëve këto pulat do të dërgohen ne Institutin e Sigurise Ushqimiore dhe Veterinarisë në Tiranë.
Sa i përket zbulimit të personave që kanë hedhur shpendët e ngordhur, Specialisti i Zyrës së Veterinarisë në Lezhë, Lek Prendi thotë se do nisin hetimet.
“Në pikën ku u konstatuan pulat e ngordhura nuk ka asnjë qendër banimi asnjë shtëpi, asnjë fermë që rriten shpendë.
Pulat e ngordhura janë në breg të detit të Rana e Hedhun, në veru perëndim të Lezhës, qytetit të Shëngjinit që ndan kufirin me Shkodrën.
Në gjithë pulat e ngordhura që ishin me numër pesë, u evidentuan, u morën dhe u futën në vende përkatëse për tu asgjesuar. Vendi ku u gjetën pulat e ngordhura u bë dezinfektimi i vendit.
Konstatojmë se sot zona është e pastër. Në ditët në vazhdim do dalim me rezultate konkrete”, tha Lek Prendi.
Deri më sot, në Qarkun e Lezhës zyrtarisht nuk është konfirmuar asnjë rast me grip shpendësh.
/abcnews.al/