Pukë, shtëpia shkrumbohet nga flakët, vdesin burrë e grua

schedule08:15 - 8 Prill, 2019

schedule 08:15 - 8 Prill, 2019

Një shtëpi dykatëshe është përfshirë nga flakët orët e para të mëngjesit, në Breg të Pukës dhe burrë e grua u dogjën brenda. Sipas policisë, viktimat janë Petrit e Dava Ndoi, përkatësisht 46 e 35 vjeç. Për fat katër fëmijët e tyre, më i madhi 15 vjeç, e më i vogli 11, kanë shpëtuar pasi u hodhën nga kati i dytë.

Trupat e pajetë të Petrit e Dava Ndoi u gjetën afër njëri-tjetrit tek dera e dhomës ku flinin. Ekspertët besojnë se ata fillimisht u asfiksuan dhe më pas u përfshinë nga zjarri. Ngjarja tragjike ndodhi në fshatin Breg të Pukës, vetëm një orë pas mesnate.

Katër fëmijët, me i madhi 15 vjeç dhe i vogli 11 vjeç shpëtuan. Edhe dy gjyshërit e tyre. Të vegjlit arritën të nxirrnin nga shtëpia me flakë gjyshen e tyre të paralizuar.

“Kanë qenë të gjithë familjarët brenda. Nga kjo fatkeqësi kanë humbur jetën dy persona, çifti. Çifti dhe 4 fëmijët dhe dy prindërit e çiftit kanë shpëtuar. Janë të traumatizuar nga ngjarja”, tha drejtori i spitalin në Pukë, Enver Sulejmani.

I zoti i shtëpisë, 82-vjeçari Pal Gjoni dha alarmin. Ai tha se kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave. Por kur i thirri të birit, nuk dëgjoi zë. Petriti, 46 vjeç dhe gruaja e tij, 35 vjeçe, kishin vdekur. Ata lanë pas katër të mitur.

“Unë kam qenë në kat të parë, kur dal dhe hap derën e kuzhinës që kishte marrë flakë. I bëj zë djalit. S’përgjigjej kush. Kanë pasur katër fëmijë andej matanë në dhomë tjetër në kat të dytë. Ata janë munduar të dalin përjasht, por nuk kanë dal se ka qenë bllokuar dera. U kan hedh nga penxherja në një llamarinë dhe kanë shpëtu”, tha 82-vjeçari.

“Pasojat janë mbrapa. Plus të keqes janë pasojat mbrapa se katër kalamaj, nënë e baba të vjetër, shtëpia e shkrumbuar komplet”, tha një banor.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike nga sistemi i amortizuar, por hetimi vijon. Pranë familjes ishte edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj. Institucioni që ai drejton mori përsipër shpenzimet mortore dhe rindërtimin e banesës./abcnews.al