Qindra mijëra faqe nga dosjet e shumëpritura të Jeffrey Epstein janë bërë publike, por informacioni i dalë në dritë nuk ofroi asgjë të re përtej asaj që dihej.
Departmenti i Drejtësisë publikoi në ditën e fundit të afatit ligjor një pjesë të materialeve, pasi Kongresi amerikan votoi për t’i hapur rrugë kësaj lëvizjeje.
Por mes materialit voluminoz, qindra faqe ishin totalisht të zeza, me qëllim redaktimin e informacionit që nuk mund të bëhet publik
Edhe pse ligji lejon që vetëm emrat dhe fytyrat e viktimave të fshiheshin, në fakt dhe personazhe të tjerë që mund të kenë pas lidhje me ngjarjet tronditëse, kanë mbi emër ose fytyrë një fashë të madhe të zezë.
Fotot e publikuara ishin të pakta. Në një prej tyre shfaqet mbreti i pop, Michael Jackson krah Epstein, ndërsa në një tjetër Jackson shfaqet krah ish presidentit Boll Clinton dhe këngëtares Diane Ross, foto që tashmë ishte e njohur.
Sa i përket Clinton, fytyra e tij del shumë herë në pamjet e reja, herë krah Epstein, herë krah Ghislaine Maxwell dhe herë krah personazheve që mund të supozohen si viktima pasi fytyra e tyre është e mbuluar.
Për Donald Trump? Asnjë emër, asnjë foto dhe asnjë detaj që e vë në pozita dyshuese, ndryshe nga materialet e publikuara javët e fundit.
Presidenti amerikan kishte paralajmëruar se dosjet Epstein ishin një mashtrim demokrat por ndërroi diskurs më vonë duke thënë se demokratët ishin të përfshirë. Dhe nga çfarë u publikua së fundi, Trump i dha të drejtë vetes.
Megjithatë një dokument nga gjyqi tregon se Epstein i prezantoi Trump një vajzë 14-vjeçare, e cila edhe pse nuk e akuzoi ndonjëherë presidentin, akuzoi ish financiarin për abuzim seksual.
Fotot e tjera janë nga shtëpitë ose prona të tjera të Epstein, për të cilat Departamenti i Drejtësisë nuk ka ofruar aspak kontekst.
Një pjesë e viktimave apo familjarë të tyre, por edhe demokratë dhe republikanë reaguan të indinjuar pas publikimit të dosjeve.
Shkalla e redaktimit ishte aq e madhe sa ngriti dyshimet e arsyeshme se dikush po tentonte të mbronte dikë.
Demokratët kërkuan që prokurorja e përgjithshme Pam Bondi të japë dorëheqjen dhe të përballet me ligjin, pasi është qartë në shkelje të tij. Dosjet duhet të ishin publikuar të plota deri më 19 dhjetor, por një pjesë e tyre mbeten të vulosura me arsyetimin e Departamentit të Drejtësisë se ka ende punë për të bërë për të mbrojtur viktimat.
Por dhjetëra vajza të abuzuara nga Epstein dhe personazhe të tjerë të njohur, thonë se i duan të gjitha provat publike.

