Publikohen pamjet e kamerave të sigurisë gjatë rrëzimit të urës Morandi

schedule17:08 - 20 Gusht, 2018

schedule 17:08 - 20 Gusht, 2018

Guardia di Finanza ka publikuar pamjet tragjike të kamerave të sigurisë, në të cilat shfaqen momentet e rrëzimit të urës Morandi. Ndërkohë, autoritetet kanë mbyllur zonën përreth nga frika e ndonjë shembje tjetër.

Janë publikuar pamje të reja të rrëzimit të urës Morandi në Xhenovë të Italisë që shkaktoi një tragjedi të rëndë. Momenti i shembjes së mbikalimit rrugor është kapur nga disa telekamera sigurie të vendosura poshtë urës.

Pamjet filmike janë shpërndarë të hënën nga Guardia di Finanza.

Në video shikohet fillimisht teksa bie një masiv i madh betoni. Gjithashtu vërehet pjesërisht edhe dalja e ishullit ekologjik nën urë ku ndodhet edhe kapanoni i fabrikës të riciklimit, e cila preket shumë pak nga shembja. Tashmë e gjithë zona përreth urës është mbyllur në një perimetër sigurie, pasi ekziston frika për shëmbje të tjera të pjesëve të betonit.

Ndërkohë, në Itali vijon debati lidhur me kalimin ose jo të kompanisë “Autostrada për Italinë” nën menaxhimin e shtetit. Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini dhe disa pjesëtarë të qeverisë janë shprehur pro këtij propozimi. Por ka nga ata që mendojnë se kjo do të thellonte dhe më tej krizën në infrastrukturë.

Ura Morandi e ndërtuar mbi 50 vite më parë, u shemb të martën e kaluar me 14 Gusht dhe u mori jetën 43 persona, mes të cilëve dhe dy shqiptarë./abcnews.al