Qyteti i Gjilanit në Kosovë u trondit të enjten nga një aksident i rëndë rrugor. Një kamion me shpejtësi të lartë humbi kontrollin dhe u përplas me automjete të tjera, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e së enjtes në Gjilan të Kosovës, ku një kamion ka vërshuar me shpejtësi të lartë në një rreth-rrotullim të qytetit, duke goditur disa makina. Si pasojë e përplasjes së fortë, një person gjeti vdekjen dhe 20 të tjerë mbetën të plagosur. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë dhe repartet e zjarrfikësve, që normalizuan situatën.
Në disa raste, efektivët u detyruan të prisnin automjetet e përfshira në aksident për të nxjerrë prej andej të lënduarit, të cilët u shoqëruan nga auto-ambulancat në spital. Tre prej tyre, për shkak të gjendjes së rëndë, u dërguan në qendrën spitalore në Prishtinë për mjekim më të specializuar.
Ndërkohë, burime nga Prokuroria Themelore e Gjilanit deklaruan se është ndaluar drejtuesi i kamionit dhe se mbi ngjarjen është hapur një hetim për të përcaktuar shkaqet. Aksidenti tronditi mbarë qytetin me rreth 54 mijë banorë, shumë prej të cilëve u mblodhën pranë vendit të ngjarjes dhe dërguan pamje filmike në redaksitë e gazetave të ndryshme./abcnews.al