Publikohen dokumente për vrasjen e ish-presidentit Kennedy

schedule08:03 - 17 Dhjetor, 2022

schedule 08:03 - 17 Dhjetor, 2022

Arkivi Kombëtar i SHBA-së publikoi të enjten mijëra dokumente në lidhje me vrasjen e ish-presidentit John F. Kennedy në vitin 1963. Publikimi u bë pasi presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që autorizon deklasifikimin e dokumenteve.

Publikimi i më shumë se 13 mijë dokumenteve nuk pritej të përfshinte ndonjë zbulim të ri. Dokumentet gjithashtu nuk pritet të ndryshojnë përfundimin e arritur nga komisioni i udhëhequr nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë, Earl Warren se Lee Harvey Oswald, ish-marins dhe aktivist komunist që kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik, veproi i vetëm kur e vrau ish-presidentin.

Megjithatë, publikimi i dokumenteve pritet të jetë i dobishëm për historianët që përqendrohen tek ngjarjet rreth atentatit.

Ish-presidenti Kennedy u qëllua dhe u vra ndërsa udhëtonte me autokolonën e tij nëpër Dallas më 22 nëntor 1963, në moshën 46-vjeçare.

Mijëra libra, artikuj, shfaqje televizive dhe filma kanë hedhur idenë se vrasja e zotit Kennedy ishte rezultat i një komploti të menduar mirë.

Asnjëherë nuk janë ofruar prova se zoti Oswald ka bashkëpunuar me dikë tjetër për vrasjen, megjithëse kjo ide vazhdon t’i mbijetojë kohës.

Lee Oswald u qëllua për vdekje nga pronari i një klubi nate, Jack Ruby, dy ditë pasi vrau ish-presidentin.

Shumë nga dokumentet e publikuara të enjten i përkisnin Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), përfshirë disa që përqëndroheshin tek lëvizjet e zotit Oswald dhe kontaktet e tij. Dokumentet e tjera merren me kërkesat nga Komisioni Warren që hetonte vrasjen.

Dokumentet tregojnë se qeveria amerikane hapi një dosje të ashtuquajtur 201 për zotin Oswald në dhjetor të vitit 1960, gati tre vjet para vrasjes së ish-presidentit Kennedy dhe pas dezertimit të dështuar të Lee Oswaldit në Bashkimin Sovjetik më 1959.

Një dokument i dhjetorit 1963 përshkruante se si zyrtarët e CIA-s në Mexico City “përgjuan një telefonatë” që zoti Oswald bëri në tetor me Ambasadën Sovjetike në kryeqytetin meksikan “duke përdorur emrin e tij” dhe duke folur një “rusishte jo të mirë”. Zoti Oswald shpresonte të udhëtonte përmes Kubës për në Rusi dhe po kërkonte një vizë, nxjerrin në pah dokumentet.

Fillimisht kishte shqetësime se zoti Ruby, vrasësi i zotit Oswald, mund të kishte pasur ndonjë lidhje me të. Por një memorandum i deklasifikuar rishtazi i hartuar në shtator 1964 drejtuar komisionit presidencial që hetonte vrasjen thoshte se “Agjencia Qendrore e Inteligjencës nuk ka asnjë tregues se zoti Ruby dhe Lee Harvey Oswald e kanë njohur ndonjëherë njëri-tjetrin, ose kanë pasur ndonjë lidhje tjetër”.

Më 1992, Kongresi kishte urdhëruar që të gjitha dosjet e mbetura sekrete në lidhje me hetimin për vrasjen e ish-presidentit Kennedy duhet të hapeshin plotësisht për publikun përmes Arkivave Kombëtare pas 25 vjetësh, më 26 tetor 2017, me përjashtim të atyre që presidenti autorizoi të mbaheshin ende sekret.

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm Donald Trump publikoi një pjesë të dhënave, por pjesën tjetër vendosi ta publikojë gradualisht.

Të gjitha dosjet e mbetura të vrasjes së ish-presidentit amerikan duhej të ishin publikuar në tetor 2021. Presidenti Biden e shtyu atë publikim të planifikuar, duke përmendur vonesat e shkaktuara nga pandemia “COVID-19” dhe njoftoi se në vend të kësaj ato do të zbuloheshin në dy grupe: një më 15 dhjetor, 2021, dhe një tjetër deri më 15 dhjetor 2022, pasi t’i nënshtrohen një rishikimi intensiv njëvjeçar.

Me deklasifikimin e fundit, totali i publikimeve nga të dhënat e mbledhura nga CIA për vrasjen e presidentit John F. Kennedy ka arritur në 95% që janë zbuluar në tërësi për publikun, tha një zëdhënës i CIA-s në një deklaratë.

Asnjë dokument nuk do të mbetet i redaktuar ose i papublikuar pas “shqyrtimit intensiv njëvjeçar”.

Në një memorandum të enjten, Presidenti Biden tha se deri më 1 maj 2023, Arkivat Kombëtare dhe agjencitë përkatëse “do të shqyrtojnë bashkërisht redaktimet e mbetura në të dhënat që nuk ishin zbuluar publikisht”.

Pas këtij rishikimi, “çdo informacion sekret që agjencitë nuk rekomandojnë për shtyrje të vazhdueshme” do të publikohet deri më 30 qershor 2023.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!